Pretendimi: Ish-presidenti amerikan Barack Obama është ekzekutuar në 2019 në Guantanamo Bay
Verdikti: E pavërtetë
————————————————————-
Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon pretendimi i pazakontë se ish-presidenti amerikan Barack Obama “u ekzekutua me pushkatim në GITMO, me plumb mbas koke” më 29 shtator 2019. Postimi shoqërohet me një foto portret të Obamës të shoqëruar me një sërë nenesh të Kodit Penal amerikan të lidhura me tradhtinë dhe mosbindje ndaj rendit kushtetues.
Si zakonisht, ky pretendim i jashtëzakonshëm nuk shoqërohet me ndonjë provë, aq më pak të jashtëzakonshme.
Barack Obama shërbeu si president i ShBA nga viti 2008 në 2017, afro-amerikani i parë që mbante këtë pozicion në historinë e vendit.
Pas përfundimit të dy mandateve, ai vijoi të ishte aktiv në politikë, duke bërë fushatë për kandidatë të ndryshëm në zgjedhje të ndryshme në ShBA, përfshi dhe fushatën presidenciale të ish-zëvendësit të tij Joe Biden, i cili u zgjodh në 2020.
Në 29 tetor 2019, një muaj nga data kur konspiracionistët pretendojnë se ai u ekzekutua, Obama foli publikisht në samitin e Fondacionit Obama.
Në 2020, presidenti i atëhershëm Donald Trump pretendoi se Obama kishte kryer tradhëti sepse kishte përgjuar fushatën e Trump. Megjithatë, provat për këto pretendime nuk u mishëruan kurrë. Gjithsesi, nëse Obama do kishte vdekur në 2019, prezumohet me dijeninë e presidentit Trump, këto akuza do të ishin të pakuptimta.
Në korrik 2024, Obama shpalli publikisht mbështetjen e tij për kandidaturën e zv. presidentes Kamala Harris për zgjedhjet presidenciale të kësaj vjeshte. Gjithashtu, në gusht 2024, ai mori pjesë në Konventën Kombëtare të Partisë Demokratike amerikane.
Më 17 shtator, Obama u shfaq në një intervistë me TikTokerin carlos_eduardo_espina, në një përpjekje për të angazhuar votuesit e moshave të reja para zgjedhjeve të nëntorit 2024.
Pretendimi se Obama është vrarë në 2019 është qartazi i rremë.