Pretendimi: Ish-kreu i Forumit Ekonomik Botëror, Klaus Schwab, u arrestua në prill të vitit 2025.
Verdikti: E pavërtetë
———————————————————————
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po riqarkullon lajmi i arrestimit të
Klaus Schwab, tashmë ish-kreu i Forumit Ekonomik Botëror (WEF).
Si zakonisht, postimi i mësipërm nuk shoqërohet me ndonjë provë apo burim të besueshëm që mbështet pretendimin se Schwab është arrestuar.
Klaus Schwab, subjekt i shumë teorive konspiracioni, u tërhoq nga pozicioni i tij si kreu i WEF më 21 prill 2025.
Dy ditë më vonë, Forumi Ekonomik Botëror deklaroi se bordi i tij kishte dhënë miratimin unanim për një hetim të pavarur mbi akuzat për sjellje të pahijshme nga Schwab.
Deklarata erdhi pas një artikulli nga The Wall Street Journal që citonte një letër sinjalizuesi që pretendonte sjellje të pahijshme financiare dhe etike nga 87 vjeçari Schwab dhe gruaja e tij, Hilde. Gazeta raportoi se akuzat iu dërguan në një letër anonime bordit javën e kaluar dhe përfshinin pretendime se familja Schwab i kishte përzier punët e tyre personale me burimet e Forumit.
“Ndërsa Forumi i merr seriozisht këto akuza, ai thekson se ato mbeten të pavërtetuara dhe do të presë rezultatin e hetimit për të komentuar më tej”, tha Forumi për Associated Press.
Sipas WSJ, letra, që thuhet se është dërguar nga stafi aktual dhe ish-staf anonim i WEF, “përfshinte akuza se Klaus Schwab u kërkoi punonjësve të rinj të tërhiqnin mijëra dollarë nga bankomatët në emër të tij dhe përdori fondet e Forumit për të paguar masazhe private në dhoma në hotele.” Gjithashtu pretendohej se gruaja e tij përdori takime të financuara nga Forumi “për të justifikuar udhëtimet luksoze të pushimeve me shpenzimet e organizatës”.
Letra ngrinte shqetësime rreth mënyrës se si Schwab i trajtonte punonjëset femra dhe se si udhëheqja e tij dyshohet se lejoi që rastet e ngacmimit seksual dhe sjelljes diskriminuese të kalonin pa ndëshkim.
Kështu, megjithëse veprimtaritë e ish-kreut të WEF do të shqyrtohen nga një hetim i pavarur i porositur nga WEF, nuk ka asnjë provë se Schwab është arrestuar.