Pretendimi: Iraku ka lëshuar së fundmi një urdhër arresti për Donald Trump

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————————

Në rrjete sociale po qarkullon lajmi se Iraku ka lëshuar një udhër arresti për presidentin amerikan Donald Trump. Ky lajm publikohet pak ditë pasi u bë publik plani i Trump për paqen në Palestinë që parashikon zhvendosjen e popullsinë palestineze dhe indinjatës që ka krijuar ky propozim tek shumë muslimanë.    

Në fakt, urdhëri i arrestit kundër Donald Trump është i vërtetë, por ai nuk është lëshuar së fundmi.

Ky urdhër u lëshua më 7 janar 2021 nga një gjykatës nga Gjykata hetimore e Bagdadit, si reagim për vrasjen e gjeneralit iranian Qasem Soleimani dhe udhëheqësit të milicisë irakiane Abu Mahdi al-Muhandis. Urdhri i arrestit ishte për akuzën e vrasjes me paramendim, e cila dënohet me dënimin kapital në legjislacionin irakian.

Më 3 janar 2020, Qasem Soleimani u vra nga një sulm me dron amerikan i urdhëruar nga presidenti i atëhershëm Donald Trump pranë aeroportit ndërkombëtar të Bagdadit në Irak, ndërsa po udhëtonte për të takuar kryeministrin irakian Adil Abdul-Mahdi. Pesë shtetas irakianë dhe katër shtetas të tjerë iranianë u vranë së bashku me Soleimani, përfshi dhe komandantin e milicisë Kata’ib Hezbollah të mbështetur nga Irani, Abu Mahdi al-Muhandis.

Pavarësisht urdhërit ekzistues të arrestit nga 2021, në nëntor 2024, kryeministri Mohammed Shia’ al-Sudani uroi Trump për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale të ShBA. Në një postim në X, al-Sudani ripohoi synimin e Irakut për të ndërtuar një “partneritet të fortë me Shtetet e Bashkuara të bazuar në respektin reciprok dhe interesat e përbashkëta.” Presidenti irakian Abdul Latif Jamal Rashid iu bashkua duke shprehur optimizëm se administrata e re e ShBA do të mbështesë stabilitetin rajonal dhe dialogun konstruktiv. Rashid nënvizoi interesin e Irakut për të bashkëpunuar me ShBA-në për të nxitur paqen në Lindjen e Mesme.