Më shumë se një muaj më parë, teksa publikoheshin detaje në lidhje me hetimin e ish zyrtarit të FBI McGonigal dhe takimeve të tij me kryeministrin Rama, opozita kërkoi interpelancë urgjente në Kuvend. Faktoje sjell një kronologji të zhvillimeve prej 27 janarit e deri të enjten e 2 marsit, kur më në fund u mbajt seanca për interpelancën, e cila rezulton në tejkalim të afateve që lejon Kushtetuta.
Jona Plumbi
Kushtetuta e Shqipërisë e detyron Kryeministrin dhe ministrat e tij t’i përgjigjen interpelancave dhe pyetjeve të deputetëve brenda tri javëve. Kështu shkruhet në nenin 80 të ligjit më të lartë të vendit.
Por çfarë ndodhi?
Pas publikimit të aktakuzave drejtuar ish zyrtarit të lartë të FBI-së Charles McGonigal dhe zbulimit se në njërën prej dokumentave hetimore të FBI-së, Kryeministri i Shqipërisë përmendej 14 herë, opozita parlamentare kërkoi një interpelancë urgjente me Kryeministrin.
Në datën 27 janar 2023 Kuvendi i Shqipërisë ka protokolluar një dokument me objekt “Kërkesë për interpelancë urgjente” me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, firmosur nga kreu i grupit parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj.
Në 30 janar 2023 një kërkesë e dytë për interpelancë urgjente erdhi nga 7 deputetë të partisë Demokratike, të cilët zgjodhën deputetin Gazment Bardhi për përfaqësimin e tyre gjatë seancës së pyetje përgjigjeve me Kryeministrin.
Bazuar në Rregulloren e Kuvendit, interpelancat për çështje urgjente zhvillohen në një nga seancat plenare të javës në vijim, pas depozitimit të saj në Kuvend.
Kuvendi vendosi zhvillimin e interpelancës në datën 2 shkurt, por Kryeministri nuk u paraqit në seancë. Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla njoftoi se Rama ia kishte deleguar detyrimin për t’u përgjigjur ministers për marrëdhënien me parlamentin, Elisa Spiropali. Opozita e refuzoi këtë devijim të llogaridhënies dhe i kërkoi Kuvendit të marrë masa urgjente për zhvillimin e interpelancës në zbatim të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit.
Në vend të përgjigjjes përpara Kuvendit të Shqipërisë, Kryeministri zgjodhi të flasë në studio televizive. Faktoje pyeti ndjekësit e saj nëse ata mendojnë se Kryeministri duhet të përgjigjej në parlament dhe rezultati tregoi se 88% e tyre e mbështesin këtë formë llogaridhënieje.
Nga ai moment, ka kaluar një muaj dhe Kryeministri i Shqipërisë pranoi të përgjigjet në parlament këtë të enjte, të 2 Marsit, duke tejkaluar afatin kushtetues.