.

.

BallinaBurokraciInstitucionet publike po zëvendësojnë përgjigjet e kërkesave për informacion, me deklaratat për mediat

Institucionet publike po zëvendësojnë përgjigjet e kërkesave për informacion, me deklaratat për mediat

Brenda pak muajsh, Faktoje ka identifikuar disa raste kur institucionet publike nuk dërgojnë informacionin e kërkuar siç përcaktohet nga ligji për të drejtën e informimit, por mjaftohen me deklaratat publike. Ky precedent është përsëritur nga Ministria e Ekonomisë, Kryemiministria dhe Ministria e Shëndetësisë. Kjo e fundit për 2 muaj e gjysmë la pa përgjigje kërkesën për informacion të Faktoje, mbi masat anticovid, deri në daljen publike të Komitetit të Ekspertëve, duke ezauruar më në fund kërkesat e Faktoje të dërguara që në shkurt të këtij viti.

—————————————————————————————————-

“Sa i përket masave tona, masat në Shqipëri janë masa që konsiderohen të intensitetit të ulët dhe mesatar. Situata po vlerësohet në mënyrë dinamike, është aktualisht një situatë që na bën të jemi të kujdesshëm në raport me ato hapa që do të marrim sa i përket lehtësimit të masave”- deklaroi ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu më 2 shkurt.

Në lidhje me lehtësimin e masave anti-Covid, Faktoje i ishte drejtuar me një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë në datë 11 shkurt 2022. Ne e pyetëm ndër të tjera nëse do të kishte një rivlerësim të masave anti-Covid në Shqipëri, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk morëm një përgjigje zyrtare nga institucioni përgjegjës.

Kërkesa për informacion dërguar MSH, 11 shkurt 2022

Të gjitha pyetjet tona morën një përgjigje më 26 prill ose 2 muaj e gjysmë pas dërgimit të kërkesës zyrtare për informacion, nga Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, në deklaratën për mediat, ku njoftoi heqjen e masave anti-Covid. Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur ndër të tjera lejimin e muzikës pas orës 23:00, hapjen e lokaleve të natës si dhe heqjen e detyrimit për mbajtjen e maskave.

“Komiteti Teknik i ekspertëve vendosi këto rekomandime. Bazuar në rekomandimin e ekspertëve të vaksinimit, vaksinimin me dozë të katërt të qytetarëve mbi 60 vjeç dhe të atyre me sistem imunitar të kompromentuar. Heqjen e detyrimit për mbajtjen e maskave, por rekomandon fuqishëm mbajtjen e maskave në ambiente të mbyllura ose të paajrosura mirë. Lejimin e muzikës pas orës 23:00 dhe rihapjen e klubeve të natës. Heqjen e detyrimit për të paraqitur dokument vaksinimi për SARS-COV 2, dokument të testimit negativ për SARS-COV 2, apo certifikatë të shërimit nga ky infeksion, për të gjithë shtetasit që hyjnë në Shqipëri nga çdo pikë kufitare duke filluar nga data 1 maj e këtij viti”, njoftoi zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli.

Gjatë komunikimit të përditshëm mbi situatën e Covid-19 në vendin tonë, më 25 prill Ministria e Shëndetësisë njoftoi për vetëm 6 raste të reja me koronavirus dhe asnjë humbje jete. Në total, raste aktive në të gjithë vendin janë 422 raste, sipas të dhënave zyrtare nga ky institucion. Ndërkohë, gjatë muajit prill raportohet për 4 humbje jete nga Covid-19.

Vendet e Europës kanë nisur më herët lehtësimin e masave anti-Covid. Më shumë se një javë më parë, disa vende të BE njoftuan heqjen plotësisht të kufizimeve të udhëtimit të Covid-19 për qytetarët jashtë BE-së. Sipas “SchengenVisaInfo.com”, në 11 vende të BE-së, udhëtarëve që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian nuk u kërkohet që të paraqesin certifikatë vaksinimi, rikuperimi apo test, qoftë për të hyrë në vend, qoftë për të përfituar nga shërbimet publike.

Institucionet që dërgojnë deklarata publike në vend të përgjigjeve ndaj kërkesave për informacion

Një ndër institucionet që ezauron përgjigjen e kërkesës zyrtare për informacion, duke dërguar linkun e deklaratave publike të zyryarëve është Ministria e Ekonomisë dhe Financave.

Në muajin janar Faktoje, e cila po verifikonte një zotim në lidhje me deklarimin e pagave nga bizneset, iu drejtua me një kërkesë të detajuar për informacion kësaj Ministrie. Në vend të përgjigjes morëm një link që na dërgonte tek deklarata e zëvendësministres, disa ditë pas dërgimit të kërkesës.

Screenshot i e-mailit ku dërgohet link i një deklarate si përgjigje ndaj kërkesës për informacion të Faktoje

Të njëjtin ‘stil’ ndoqi edhe kryeministria pasi iu drejtuam me kërkesën e detajuar për informacion në lidhje me udhëtimet e kryeministrit në fund të muajit janar. Ky institucion, na dërgoi si përgjigje thuajse një muaj më vonë pas kërkesës për informacion, një link të deklaratës publike të kryeministrit.

Screenshot i e-mailit ku dërgohet link i një deklarate si përgjigje ndaj kërkesës për informacion të Faktoje

Foto kryesore marrë në Web

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img