.

.

BallinaPremtimeInfrastruktura në Has 4 vite pas premtimeve të kryebashkiakut Adem Lala

Infrastruktura në Has 4 vite pas premtimeve të kryebashkiakut Adem Lala

ANXHELA RUÇI

Jemi në prag të zgjedhjeve vendore që priten të mbahen më 30 qershor dhe shumëkush mund të bëjë bilancin e situatës aktuale në zonën ku banon. Por si qëndron raporti i premtimeve të mbajtura dhe të pambajtura që kanë dhënë disa nga kryebashkiakët në vitin 2015 dhe çfarë është bërë realisht?

“Faktoje” ka zgjedhur të verifikojë disa nga premtimet e dhëna nga kryebashkiaku i Hasit, Adem Lala. Kjo bashki ndodhet në verilindje të Shqipërisë dhe ka një popullsi prej rreth 16 mjë banorësh.

Në qytetin e Krumës që është dhe qendra e Bashkisë Has, janë verifikuar katër premtime për infrastrukturën të cilat janë shkëputur nga intervista që Adem Lala ka dhënë për reporter.al.

Premtimi i parë që ka dhënë Adem Lala është ndërtimi i palestrës për Shkollën e Mesme “Skënderbeu”.  Nga verifikimet në terren rezulton se palestra është ndërtuar në dy vitet e para që Lala ishte në krye të Bashkisë Has, duke e bërë kështu një premtim të mbajtur investimin e premtuar. Mësuesi i edukimit fizik pranë shkollës “Skënderbeu”, Destan Ukperja tha për “Faktoje” se ky investim i vjen në ndihmë 621 nxënësve që mësojnë në këtë gjimnaz.

Premtimi i dytë i verifikuar nga “Faktoje” është rikonstruksioni i pallateve në qendër të qytetit të Krumës. Lala premtoi se këto pallate jo vetëm do të rehabilitoheshin por edhe do të mbuloheshin me çati dhe nuk do të liheshin me soletë betoni siç kanë qenë më parë. Edhe ky rezultoi një tjetër premtim i mbajtur për këtë komunitet. Bashkia Has tha për “Faktoje” se për këtë investim janë shpenzuar 17 milionë lekë.

Një tjetër premtim që Adem Lala dha 4 vite më parë ishte rikonstruksioni i Qendrës Kulturore “Pjetër Bogdani”. Në kuadër të programit IADSA, Bashkia Has ka rezultuar fituese e projektit “ Youth inclusion in Has” dhe për këtë vepër janë investuar rreth 30 milionë lekë.

Nëse më sipër janë listuar tre premtime të mbajtura nga kryebashkiaku Adem Lala, nga verifikimi në terren rezultoi se ka edhe premtime të pambajtura. Kryebashkiaku në intervistë tha se kishte si qëllim të tij parësor ndërtimin e një godine të re për Bashkinë Has, pasi administrata ishte e vendosur në ambientet e Qendrës Kulturore. Edhe pas 4 vitesh, situata nuk ka ndryshuar dhe zyrat vazhdojnë të jenë në po të njëjtin vend. Pyetur për këtë çështje, Bashkia Has tha se është hartuar një projekt preventim i godinës, por nuk është siguruar financimi për ndërtimin e saj.

Kryebashkiaku Adem Lala aktualisht nuk është më pjesë e listës së Partisë Socialiste për të siguruar një tjetër mandat në zgjedhjet e radhës pasi kjo forcë politike ka caktuar Liman Morinën si kandidat për të drejtuar bashkinë Has për 4 vitet e ardhshme.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img