Një lajm i pabazuar në fakte qarkulloi më 31 korrik të këtij viti në mediat online, ku pretendohej se një polic dhe 2 serbë ishin plagosur si pasojë e të shtënave në veri të Kosovës. Nga verifikimi i bërë, referuar informacioneve zyrtare nga institucionet e Kosovës rezulton se ky lajm nuk është i vërtetë.
———————————————————————————————–
Ilda Hoxha
“Një polic e dy serbë të plagosur nga gjuajtjet me a’rmë zjar’ri mes policisë dhe barrikaduesve”, është ky titulli i lajmit të publikuar më 31 korrik nga portali “AK-REPORT.AL”.
Screenshot nga lajmi i publikuar në portalin “AK-REPORT.AL”
Në artikullin e publikuar nga ky portal, ku që në titull ka gabime drejtshkrimore, pretendohet se referuar burimeve nga “Gazeta Nacionale”, një polic dhe dy qytetarë raportohet se kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave në veri të Kosovës.
Screenshot nga artikulli i portalit
Vihet re që kjo media online ka publikuar një artikull që nuk i referohet informacioneve apo burimeve zyrtare, por mbështetet në disa të dhënave të pabazuara, të bëra publike nga një tjetër portal. Gjithashtu, fotoja ballore që ilustron lajmin, e vetmja që përmban artikulli, është një foto e ricikluar nga lajme të mëparshme dhe që nuk lidhet me ngjarjen e raportuar. Nga një verifikim përmes motorit të kërkimit online TinEye, duke ngarkuar foton në fjalë dhe linkun e saj, kjo foto del të jetë përdorur me dhjetëra herë në raportime të paktën prej vitit 2019.
Lajmi, ku pretendohet se kishte të plagosur si pasojë e bllokimit të rrugëve që çojnë drejt pikave kufitare në Jarinje e Bërnjak është publikuar në disa media online.
Një pjesë e portaleve që raportuan për ngjarjen në fjalë ishin: JOQ Albania, Kosova info, Neutral.al, Lajmi i fundit.al, Pamfleti.net, News33.tv.
Faktoje bëri një verifikim të artikullit, referuar informacioneve nga institucionet zyrtare të qeverisë së Kosovës. Nëpërmjet një komunikimi zyrtar, Policia e Kosovës njofton mbi zhvillimet në veri të vendit, por mohon që të ketë pasur persona të plagosur.
“Dy pikat kufitare Jarinje dhe Bernjak vazhdojnë të mbesin të mbyllura për qarkullim, për shkak të vazhdimit të bllokimit të rrugëve në drejtim të këtyre dy pikë kalimeve kufitare, të cilat janë bërë me mjete të rënda nga persona/grupe të organizuara kriminale.
Informacionet zyrtare konfirmojnë se dje, më 31.07.2022 pas bllokimit të rrugëve në Veri të Mitrovicës, në katër raste ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore si dhe në një rast është dëgjuar të ketë ndodhur një detonim. Fatmirësisht nuk raportohet për ndonjë qytetar apo zyrtar policorë të plagosur nga arma e zjarrit”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Kosovës, që mban datën 1 gusht 2022.
Po në lidhje me raportimet e bëra në media në lidhje me këtë çështje, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bëri të ditur më 1 gusht se nuk ka persona të plagosur nga të shtënat më armë zjarri.
“Fatmirësisht, nuk ka të plagosur me armë zjarri, siç u lajmërua rrejshëm nga ndonjë portal. Ju lutemi të gjithë qytetarëve që të ndjekin me vëmendje informacionet zyrtare nga Qeveria e Republikës së Kosovës, nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës.
Ju lutemi të gjithë punonjësve të medieve që njoftimet që vijnë nga mediet e Beogradit dhe Moskës, të mos i përhapin si lajme e fakte në mënyrë jokritike, meqë bëhet fjalë për shtete autoritare pa liri të medias atje”, deklaroi Kurti në lidhje me ngjarjen dhe lajmet e raportuara në mediat online.
Publikimi i lajmeve të tilla shërben si burim dizinformimi për lexuesit, duke krijuar shpesh’herë panik dhe nxitur tensione të mëtejshme.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin