Pretendimi: Një imazh i tokës së sheshtë ndodhet në godinën e OKB-së
Verdikti: I pavërtetë
Imazhi i një harte ku pretendohet se toka është e sheshtë, është krijim artistik dhe imagjinar, ndryshe nga çfarë pretendohet në postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë.
Një video e publikuar, ku shfaqet një hartë që tregon Tokën e sheshtë të rrethuar me mure akulli, po merret nga disa përdorues të mediave sociale si dëshmi se Planeti është i sheshtë. Video është shpërndarë edhe nga përdorues të rrjeteve sociale në vendin tonë.
“Një hartë që paraqet tokën e sheshtë ndodhet e ekspozuar në një mur brenda godinës së OKB-së. Por të tjerëve i thonë që jetojmë në një top që rrotullohet si i çmendur”-shkruan një përdorues në rrjetet sociale.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Ilustrimi tregon kontinentet në qendër, të rrethuar nga Oqeani Paqësor, Oqeani Indian dhe ai Atlantik. Oqeanet janë të rrethuar nga një mur akulli, me oqeane dhe kontinente të tjera me emra vendesh mitike, duke përfshirë Atlantis dhe Asgard.
Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të këtyre pamjeve për të kuptuar më shumë rreth origjinalitetit të videos së shpërndarë. Nga kërkimi i bërë nëpërmjet mjeteve të verifikimit të fotove shihet se imazhi ka qarkulluar në rrjet si teori konspirative që në gusht të vitit 2022.
Gjithashtu konstatuam se imazhi është ngarkuar në një forum të komunitetit të artit në internet të quajtur “DeviantArt”, në shkurt 2020 dhe është pjesë e një serie të titulluar “Bota përtej murit të akullit”.
Por, në fakt harta e publikuar nuk është gjë tjetër veçse një krijim imagjinar dhe pjesë e një serie të frymëzuar nga “world building” (ndërtimi i botës). Faqja “world building” i referohet krijimit të botëve imagjinare që shpesh lidhen me fantashkencën dhe fantazinë. Ky imazh nuk është ekspozuar në godinën e OKB-së deri më sot.
Po t’i referohemi të dhënave të NASA (Administrata Kombëtare e Aeronautikës dhe Hapësirës, pjesë e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës) toka është e rrumbullakët.
“Njerëzit e dinë që Toka është e rrumbullakët prej më shumë se 2000 vitesh. Grekët e lashtë matën hijet gjatë solsticit të verës dhe gjithashtu llogaritën perimetrin e Tokës. Ata përdorën pozicionet e yjeve dhe yjësive për të vlerësuar distancat në Tokë. Ata madje mund të shihnin hijen e rrumbullakët të planetit në hënë gjatë një eklipsi hënor. Ne ende mund ta shohim këtë gjatë eklipseve hënore.
Sot, shkencëtarët përdorin gjeodezinë, e cila është shkenca e matjes së formës, gravitetit dhe rrotullimit të Tokës. Gjeodezia ofron matje të sakta që tregojnë se Toka është e rrumbullakët”, argumenton NASA.