Pretendimi: Ky imazh tregon Papë Françeskun duke mbajtur në dorë një plis tradicional shqiptar me simbolin e shqiponjës.
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
—————————————————————————————————-
Një imazh që duket se tregon Papën e ndjerë Françesku duke mbajtur në dorë një plis tradicional të bardhë shqiptar, të stolisur me emblemën kombëtare të shqiponjës së zezë dykrenare, po qarkullon sërish në rrjetet sociale shqipfolëse.

Imazhi shoqërohet me pretendimin se është shkrepur gjatë një Audience të Përgjithshme në Vatikan, më 3 janar 2024.
Në fakt, imazhi i mësipërm qarkullon që nga janari i vitit 2024, kur u shpërnda gjerësisht në media dhe rrjete sociale shqipfolëse. Kryeministri shqiptar Edi Rama e ndau imazhin në atë kohë edhe në rrjetet e tij sociale me mbishkrimin: “Foto e ditës,” dhe sërish në prill 2025, për të shprehur keqardhjen për ndarjen nga jeta të Françeskut.
Megjithatë, imazhi i mësipërm nuk është i vërtetë. Ai është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificale (AI).
Kjo konfirmohet edhe nga mjeti zyrtar i verifikimit të OpenAI, i cili identifikon imazhet e krijuara me inteligjencë artificiale përmes pranisë së teknologjisë SynthID.

Rezultati konfirmoi se fotografia përmban një gjurmë SynthID me origjinë nga OpenAI, çka tregon se imazhi është gjeneruar me inteligjencë artificiale.
SynthID është projektuar për t’i mbijetuar modifikimeve të zakonshme të imazheve, si prerja, ndryshimet e ngjyrave, fotografimi i ekranit apo kompresimi i skedarëve, duke e bërë të mundur gjurmimin e origjinës së përmbajtjes së gjeneruar.






