Pretendimi: Forcat ruse kanë kapur dërgesën më të madhe të adrenokromit në histori në bazën detare Tartus të Sirisë, rafinuar nga gjaku i 10,000 fëmijëve, porositur për elitën
Verdikti: E paprovuar
————————————————————
Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon pretendimi i pazakontë se Rusia ka kapur dërgesën më të madhe të adrenokromit në histori në bazën detare Tartus në Siri. Pretendohet se kjo ngarkesë “ishte rafinuar nga gjaku i 10,000 fëmijëve” dhe ishte “për elitën e Hollivudit.”
Si zakonisht, postimi i mësipërm nuk përmban ndonjë referencë apo ndonjë burim për të mbështetur pretendimin e jashtëzakonshëm.
Postimi duket se i referohet një artikulli të botuar më 22 nëntor 2024 në portalin amerikan The People’s Voice, i njohur më parë si News Punch.
Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, NewsPunch ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.
Në brendinë e tij, artikulli nuk përmban asnjë referencë apo burim që mbështet pretendimet e tij të çuditshme. Autori mjaftohet duke thënë: “Sipas raportimeve, një avion privat i regjistruar në Izrael u sekuestrua brenda Krimesë ruse më 17 nëntor, me dhjetëra fëmijë të traumatizuar që mbaheshin robër në kushte të tmerrshme.” Cilat rapotime, nga cilat burime? Artikulli nuk na tregon.
Në të njejtën mënyrë, duke mos ofruar asnjë provë apo burim veçse “njerëzve të brendshëm” anonimë, The People’s Voice ka botuar një numër artikujsh me pretendime të pazakonta.
Narrativa e trafikimit të fëmijëve për t’u nxjerrë adrenokromin që përdoret nga elitat për të zgjatur jetën dhe rininë e tyre u shfaq për herë të parë në 2017 në ShBA, si pjesë e teorisë konspirative QAnon. Kjo teori përshkruan presidentin amerikan Donald Trump si një hero i vetëm që po luftonte një kabal elitash që ishin pedofilë dhe vrasës fëmijësh. QAnon premtonte se këta komplotistë do të ekspozoheshin dhe ndëshkoheshin së shpejti në një “stuhi” që po vinte.
Një variant i hershëm i kësaj teorie konspiracioni, Pizzagate, pretendon se pjesëtarët e Partisë Demokrate të ShBA dhe disa restorante amerikanë ishin të përfshirë në një ring trafikimi fëmijësh dhe pedofilie. Ndikuar nga kjo teori, në 4 dhjetor 2016, një burrë nga North Carolina shkoi në picerinë Comet Ping Pong dhe shtiu me armë.
Sa i përket adrenokromit, kjo substancë prodhohet nga oksidimi i adrenalinës. Ajo është studiuar në vitet 1950-70, por sot nuk ka asnjë përdorim mjekësor. Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) nuk e ka aprovuar përdorimin e adrenokromit. Mbi të gjitha, nëse një kabal elitash do ta donte gjithsesi këtë substancë të deklaruar të padobishme nga shkenca, nuk do t’i duhej të rrëmbenin fëmijë nëpër tunele nëntokësore për ta përftuar atë. Adrenokromi mund të krijohet në laborator, madje mund të blihet në internet lehtësisht.
Joseph A. Schwarcz, drejtori i Zyrës për Shkencën dhe Shoqërinë në Universitetin McGill, shkruan se teoria konspirative e adrenokromit ka ngjyrime anti-Semite, duke cituar një histori të gjatë të akuzave se hebrenjtë përdorin gjakun e fëmijëve të krishterë në ritualet e tyre fetare. Këto akuza kanë shërbyer historikisht për të justifikuar dhe nxitur persekutimin e hebrenjve në Europë.
Sipas Kongresit Botëror Hebraik, “ky mit konspiracioni është në thelb antisemitik, pasi akuzon figura të shquara hebraike si Rothschildët dhe George Soros – përveç të tjerëve që përkrahësit e mitit gabimisht besojnë se janë hebrenj, si Bill Gates – se janë orkestruesit e lëvizjes për të torturuar fëmijët. Mohimi, shtrembërimi dhe banalizimi i Holokaustit janë të pranishme edhe në gjuhë.”
Ironikisht, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një urdhër arresti për Presidentin rus Vladimir Putin më 17 mars 2023, për rrëmbimin e fëmijëve nga Ukraina.