Pretendimi: Qeveria ukrainase e Zelensky largohet nga Kievi dhe vendoset në Ukrainën perëndimore
Verdikti: E paprovuar
————————————————–
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon lajmi se qeveria ukrainase po përgatitet të evakuohet nga Kievi në Ukrainën perëndimore. Kjo lëvizje interpretohet si një pranim i mundshëm i humbjes së luftës nga Ukraina.
Postimet në rrjete sociale i referohen një dokumenti të pretenduar sekret “dërguar nga Kabineti i Ministrave agjencive qeveritare” të bërë publik nga politikani ukrainas Igor Mosiychuk.
Sipas dokumentit të pretenduar, kryeministri ukrainas ka urdhëruar autoritetet qendrore ekzekutive të përgatisin ambjentet në Ukrainën perëndimore për një zhvendosje të mundshme, të zvogëlojnë stafin e ministrisë me 10% për shkak të humbjes së pozicioneve në zonat e pushtuara dhe të dërgojnë listat e punonjësve të pushuar nga puna në moshë mobilizimi në qendrat e rekrutimit.
Ihor Mosiychuk është gazetar, politikan, ish-anëtar i parlamentit ukrainas. Në mars të vitit 2024, Qendra ukrainase për Luftën Kundër Dezinformimit shtoi llogarinë TikTok të Ihor Mosichuk në listën e faqeve që përhapin lajme të rreme ruse.
Sipas Qendrës ukrainase për Luftën Kundër Dezinformimit, dokumenti është tërësisht i sajuar. Qendra konfirmoi se nuk ekziston një letër e tillë. Ajo nuk është regjistruar kurrë në Departamentin e Menaxhimit të Dokumenteve të Kabinetit të Ministrave, siç kërkohet. Që nga viti 2021, Këshilli i Ministrave i Ukrainës ka kaluar në menaxhimin elektronik të dokumenteve, gjë që ngre dyshime mbi formatin e dokumentit të publikuar.
Gjithashtu, mungesa e një klasifikimi sekret për një dokument kaq të rëndësishëm është një shkelje kritike. Dokumentet e këtij niveli rëndësie klasifikohen gjithmonë në përputhje me rrethanat. Përveç kësaj, teksti i dokumentit përmban një numër të madh gabimesh drejtshkrimore, gjë që tregon gjithashtu një falsifikim.
“Operacione të ngjashme informacioni po kryhen nga armiku për të mbjellë panik në shoqëri dhe për të destabilizuar situatën në rajonet e Ukrainës. Mos bini pre e manipulimit të informacionit dhe besojini vetëm burimeve zyrtare”, shtoi Qendra.
Qendra për Luftën Kundër Dezinformimit vuri në dukje gjithashtu se kjo letër e rreme u ishte dërguar agjencive qeveritare dhe strukturave shtetërore me qëllim përhapje paniku.
Qeveria ukrainase po evakuon me të vërtetë, por vetëm civilët nga zonat e vijës së frontit për sigurinë e tyre. Kjo është një masë normale mbrojtëse dhe jo një shenjë e gatishmërisë së autoriteteve për t’u larguar.