Pretendimi: Mjeku shqiptar Arbër Morina ka shëruar diabetin për një ditë

Verdikti: E pavërtetë

————————————–

Një artikull i botuar në portalin new.findnews5.com pretendon se një mjek shqiptar ka arritur të shërojë diabetin për një ditë. 

Artikulli duket se i referohet një postimi në Facebook të një mjeku nga Kamenica të quajtur Arbër Morina. “Kirurgu nga Kamenica, Arbër Morina po sjell risi shkencore në kirurgjinë matabolike. Përmes një postimi në Facebook ai ka njoftuar se diabeti dhe obeziteti tashmë shërohen përjetësisht me 99% sukses”, thuhet në artikullin e portalit.

Në kërkim të këtij postimi, Faktoje gjeti në vend të tij një postim të vitit 2021 me anë të së cilit mjeku Morina përgënjeshtron këtë lajm.

Morina pohon se as gripi më i thjeshtë nuk mund të mjekohet për një ditë, aq më pak diabeti. Mesa duket, artikulli keqpërdor të dhënat e mjekut për të krijuar një lajm bombastik për tërheqjen e kllikimeve dhe reklamimin e produkteve të tjera që shfaqen në faqe.  

Diabeti mellitus (DM) një sëmundje kronike, e cila shfaqet kur pankreasi nuk prodhon aspak ose prodhon një sasi të pamjaftueshme insulin, karakterizohet nga hiperglicemia (rritja e sheqerit në gjak), si rezultat i sasisë së pamjaftueshme ose absolute të insulinës (një ndër hormoneve kryesore që prodhon pankreasi). Vlerat normale të sheqerit në gjak janë nga 70-110 mg/dl. Për një person me diabet, vlerat e sheqerit 2 orë pas buke, duhet të jetë > 140 mg/dl. Diabeti është një sëmundje që prek një numër të madh personash në të gjithë botën.

Studimet e kryera së fundmi tregojnë se nuk ka një kurë për diabetin deri më tani, por vetëm trajtime për ta mbajtur nën kontroll. Shkencëtarët po ndërmarrin hapa për të ndërtuar një të ardhme ku diabeti nuk do të shkaktojë asnjë dëm.

Terapitë dhe stili i jetesës mund të ndikojë në reduktimin e efekteve të diabetit te njeriu. Aktualisht nuk ekziston një kurë për diabetin, por sëmundja mund të shkojë në remision. Kur diabeti kalon në remision, kjo do të thotë se trupi nuk shfaq asnjë shenjë diabeti, megjithëse sëmundja teknikisht është ende e pranishme.

Faktoje ka verifikuar një sërë këshillash dhe kurash të rremë që kanë qarkulluar online për të kuruar diabetin.