.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookI rremë miti i mungesës së sëmundjeve në komunitetin Amish 

I rremë miti i mungesës së sëmundjeve në komunitetin Amish 

Pretendimi se komuniteti Amish është më i shëndetshëm, sepse ata nuk vaksinohen, është i pasaktë. Faktoje sjell një sërë argumentesh që tregojnë se vaksinat janë të sigurta dhe nuk kanë ndikim në shfaqjen e sëmundjeve të ndryshme, siç pretendojnë postime të shpërndara në rrjetet sociale.

Një postim në 12 korrik të shpërndarë në rrjetet sociale pretendohet se amishët e pavaksinuar rrallë sëmuren nga kanceri, autizmi ose sëmundjet e zemrës, duke ia atribuar shfaqjen e këtyre sëmundjeve vaksinimit.

Në një studim të ri gjithëpërfshirës të paraqitur në Senatin e Shtetit të Pensilvanisë nga themeluesi i VSRF, Steve Kirsch, u llogarit se sëmundjet tipike kronike nuk ndodhin aspak te fëmijët Amish që janë 100% të pavaksinuar”, shkruajnë përdorues në rrjetet sociale.

Postimi i shpërndarë në Facebook

Së pari duhet të shpjegojmë për publikun shqiptar se Amish-ët janë komunitete besimtarësh të krishterë, të cilët kanë vendosur të “ngrijnë” traditat dhe formën e tyre të jetesës në shekullin e 19-të. Ata izolohen nga pjesa tjetër e shoqërisë, duke refuzuar energjinë elektrike, automjetet dhe veshjet moderne. Ndonëse Amish ndajnë shumë besime me të krishterët ungjillorë, ata gjithashtu mbajnë disa doktrina unike.

Mirëpo, a refuzojnë Amish-ët edhe vaksinimin? Ne vendosëm të bëjmë një verifikim të këtij pretendimi të ngritur, duke bërë fillimisht një kërkim në internet, duke iu referuar burimeve të besueshme të informacionit.

Në vitin 2011, revista “Pediatrics” publikoi një anketë me 1000 prindër Amish të përzgjedhur rastësisht në Ohio, duke treguar se vetëm 14% e prindërve të përgjigjur i kishin përjashtuan plotësisht fëmijët e tyre nga vaksinat. Midis tyre, 86% shprehën shqetësim për efektet negative dhe nuk kishin refuzuar vaksinimin për arsye fetare

Këto të dhëna tregojnë se jo të gjithë Amish-ët refuzojnë vaksinim, siç aludohet në informacionet e shpërndara online.

Prevalenca e çrregullimit të spektrit të autizmit (ASD) në mesin e popullatës Amish nuk është e dokumentuar mirë, por një raport konference nga Shoqëria Ndërkombëtare për Kërkimin e Autizmit raportoi një prevalencë të reduktuar prej 1 në 271 në komunitetet Amish, krahasuar me normën e përgjithshme të SHBA-së prej 1 në 91 fëmijë në atë kohë.

Studime të tjera kanë gjetur gjithashtu një incidencë më të ulët të kancerit dhe diabetit në mesin e popullatës Amish. Rezultatet paraprake nga një studim i madh, i cili është në vazhdim, mbi mirëqenien bazë të Amish-ëve, i kryer nga Universiteti i Maryland-it, tregojnë nivele më të ulëta të diabetit të tipit 2 dhe hipertensionit, por nivele më të larta të kolesterolit dhe funksionit të ulët të tiroides.

Sidoqoftë, një prevalencë më e ulët e disa sëmundjeve në komunitetet Amish në krahasim me popullatën e përgjithshme, nuk e mbështet deklaratën se: “Amish-ët rrallë përjetojnë aftësi të kufizuara në të mësuar, kancer, autizëm ose sëmundje të zemrës dhe janë një shembull i shkëlqyer i një shëndeti të mirë. Faktorët e stilit të jetesës së Amish si dieta, pirja e reduktuar e duhanit dhe rritja e aktivitetit fizik mund të kontribuojnë pjesërisht në ndryshimet në prevalencën e sëmundjes”.

Komunitetet Amish kanë përjetuar gjithashtu një ndryshim gjenetik, i cili mund të ketë luajtur një rol të rëndësishëm në këto dallime shëndetësore.

Tre qendra të vendosura në Ohio dhe Pensilvani janë të specializuara në studimin e çrregullimeve të rralla gjenetike që janë jashtëzakonisht të përhapura në mesin e Amish, duke përfshirë Sindromën Troyer, sëmundjen e urinës me shurup panje (MSUD) dhe Sindromën Cohen. Këto qendra ofrojnë shërbime trajtimi dhe edukimi për pacientët Amish dhe jo Amish me sëmundje të trashëguara.

Veç kësaj, studimet shkencore kanë treguar në mënyrë të vazhueshme që vaksinat e përcaktuara në kalendarin e vaksinimit janë të sigurta dhe nuk kanë asnjë lidhje me autizimin.

Përpos kësaj, vlen te theksohet se imunizimi i reduktuar i tufës në mesin e popullatës Amish çoi në vitin 2014 në shpërthimin më të madh të fruthit në SHBA në atë kohë, duke ilustruar rëndësinë e vaksinimit rutinë dhe duke hedhur poshtë deklaratën se vaksinat bëjnë “shumë më shumë dëm sesa mirë”.

Së fundi, në kundërshtim me pretendimin se: “pacientëve nuk u thuhen rreziqet e mundshme që lidhen me vaksinat”, CDC përditëson vazhdimisht informacionin në lidhje me sigurinë e vaksinave, duke përfshirë publikimin e raporteve të sigurisë dhe informacionin mbi efektet anësore.

Publikimet e shpërndara lidhin në mënyrë mashtruese rritjen e prevalencës së spektrit autik me vaksinimin e fëmijërisë. Ky përfundim bazohet në pretendimet e pasakta se Amishët janë kryesisht të pavaksinuar dhe se ata rrallë vuajnë nga autizmi. Siguria e përbërësve të vaksinës është demonstruar gjerësisht dhe lidhja midis vaksinave dhe autizmit ose ndonjë sëmundje tjetër nuk është e mbështetur shkencërisht.

Këto pretendime janë verifikuar edhe nga kolegët e verifikimit të fakteve në mediat botërore.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img