I rremë lajmi për vdekjen e gruas që realizoi videon me kreun e bashkisë Kukës

994

Në portale po qarkullon një lajm që pretendon se gruaja e përfshirë në video skandalin e ish-kryebashkiakut të Kukësit kishte ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti fatal. Verifikimet tregojnë se lajmi është i pavërtetë dhe ka për qëllim tërheqjen e klikimeve.

Katër ditë pasi u shfaq në dyert e SPAK për t’u njohur me masën e sigurisë, portalet pretendojnë se gruaja e përfshirë në videoskandalin me ish-kryebashkiakun e Kukësit Safet Gjici është ndarë nga jeta si pasojë e një aksidenti fatal. 

Sreenshot: Titulli i edituar i portalit pershendetje24.info

Më 30 qershor portali pershendetje24.info përmes një titulli jo etik, pretendon se gruaja e video skandalit ka nderruar jetën pas një aksidenti në rrugën Tiranë-Durrës. 

Titulli pretendon gjthashtu se në brendësi të artikullit lexuesit mund të shohin edhe pamjet e këtij aksidenti. Madje edhe kur klikon artikullin lexuesit ftohen të shohin videon që në fakt nuk ekziston. 

Vijon.. Pamjet si më poshtë…’, përfundon artikulli që ka vetëm dy fjali plot me gabime drejtshkrimore, por nuk ka asnjë pamje filmike sikurse pretendohet.

Verifikimet tregojnë se lajmi është i pavërtetë dhe portali në këtë rast ka përdorur emrin e gruas për të marrë klikime, pak ditë pas video skandalit që u  publikua në media me ish-kryetarin e Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici. 

Në njoftimet e Policisë së Shtetit, nuk ka asnjë njoftim aksidentin fatal që pretendon portali pershendetje24.info. Faktoje kontaktoi edhe me zëdhënësin e Policisë së Shtetit, Genti Mullai, i cili konfirmoi se lajmi është i pavërtetë.

“Nuk kemi asnjë njoftim të tillë”, tha Mullai për “Faktoje”. 

Ndërkaq, kjo nuk është hera e parë që portali në fjalë të këte shpërndarë lajme të pavërteta me kryefjalë gruan e video skandalit Gjici.

Më 19 qershor 2023 pershendetje24.info ka publikuar artikullin me titull: “Tronditet Shqiperia/Vritet Alma nga burri i saj, gruaja qe u kap me Safet Gjicin nzyre (Video)”.

Kolegët tanë të Kallxo.com kanë verfikuar se edhe ky lajm është i pavërtetë.