Pretendimi: Raketat ruse vranë një pilot danez që trajnojne pilotët ukrainas të F-16
Verdikti: E paprovuar
——————————————————————–
Në rrjete sociale, përfshi edhe ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se një raketë Iskander ruse ka vrarë pilotin danez të avionëve luftarakë F-16 Jepp Hansen gjatë një sulmi në një qendër trajnimi të Forcave të Armatosura të Ukrainës në Krivoy Rog në rajonin Dnepropetrovsk të Ukrainës qendrore.
Ky pretendim është raportuar edhe në media shqipfolëse.
Ky lajm është raportuar fillimisht në Telegram nga media shtetërore ruse TASS, e cila citoi një burim ushtarak pa emër, dhe pa sqaruar kombësinë e burimit. Duket se TASS nuk e konsideroi burimin mjaftueshëm të besueshëm për të botuar një artikull të mirëfilltë në faqen e tyre apo edhe në Twitter.
Megjithatë, Ministria daneze e Mbrojtjes e hodhi poshtë pretendimin me anë të një postimi në Twitter më 19 janar.
Media daneze Berlingske raportoi më 19 janar se Ministri Troels Lund Poulsen hodhi poshtë pretendimet si një shembull tjetër i një “ndikimi në shkallë të gjerë të fushatave dezinformuese.”
Poulsen mohoi kategorikisht pretendimet duke thënë: “Asnjë ushtar danez nuk është vrarë në Ukrainë. Është një histori krejtësisht e rreme që po transmetohet në mediat ruse – ndoshta për të diskredituar Danimarkën dhe mbështetjen e saj ndaj Ukrainës.”