Pretendimi: Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock ka përdorur shërbimet e një zhigoloje afrikan gjatë vizitave diplomatike.

Veridkti: E paprovuar

————————————————

Në rrjete sociale po qarkullon lajmi se, sipas një gazete gjermane të quajtur Zeitgeschehen, Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock ka punësuar një zhigolo afrikan gjatë vizitave diplomatike.

Për të gjetur burimin origjinal të këtij lajmi, Faktoje kërkoi për gazetën Zeitgeschehen. Duket se një gazetë e tillë nuk ekziston. Nuk ka as ndonjë media, agjensi lajmesh, apo blog me këtë emër në rrjet.

Faktoje gjeti një faqe interneti me adresën zeitgeschenen.de, e cila kishte të publikuar edhe lajmin e pretenduar për Baerbock.

Megjithatë, kjo faqe është krijuar më pak se një muaj më parë, më 24 korrik 2024. Më 31 korrik 2024, ajo publikoi lajmin për Baerbock.

zeitgeschenen.de është regjistruar më 24 korrik 2024

Video e intervistës së zhigolosë së pretenduar është publikuar në Youtube më 29 korrik, nga një llogari e krijuar më 23 qershor 2024. 

Më 30 korrik, zbardhja e intervistës u botua në portalin nigerian Daily Post me titullin: “‘Unë u jap rehati emocionale elitareve të vetmuara’ – flet Kingsley për karrierën e tij si zhigolo.” I dyshimtë është fakti që, siç sinjalizon etiketa në kokën e artikullit, dikush ka paguar që kjo intervistë të botohet në një gazetë serioze.

Bazuar mbi këtë artikull, portali zeitgeschenen.de botoi lajmin se Kingsley ishte punësuar nga Baerbock.

Ministria për Punët e Jashtme e Gjermanisë tha për ZDFheute se “portali keqinformues pro-rus ‘zeitgeschenen.de’ ka shpërndarë një histori të rreme, të fabrikuar dhe krejt absurde.”

Sipas gazetës gjermane Tagesspiegel, një tjetër tregues se artikulli i zeitgeschenen.de është me gjasa pjesë e një fushate dezinformimi të jashtëm janë gabimet e shumta në përkthim. Me gjasa teksti është përkthyer në mënyrë automatike nga një gjuhë tjetër në gjermanisht dhe nuk është redaktuar më pas.