Prezantuesi dhe natyralisti britanik David Attenborough nuk ka thënë se izraelitët janë më mizorë se çdo kafshë. Citati që po qarkullon në rrjet e ka origjinën në një koment të bërë nga një përdorues me pseudonimin ‘David Attenborough’ në artikullin e një medie iraniane.

———————————————————-

Një imazh që po qarkullon në rrjete sociale pretendon se spikeri dhe natyralisti britanik David Attenborough ka bërë komente denigruese për izraelitët.

“Nuk njoh ndonjë kafshë aq mizore sa izraelitët – madje as krokodilët. Ata bombardojnë shkolla, spitale, kampe refugjatësh, jetimore, mensa të OKB, kanalizime, stacione elektrikë, ambulanca, fëmijë që luajnë në plazh. Ata kanë vendosur miliona njerëz nën shtetrrethim. Ata qëllojnë fëmijë duke shkuar në shkollë. Ata rrëmbejnë fëmijë dhe i marin organet. Ata i injektojnë të burgosurit me patogjenë sëmundjesh përpara se t’i lirojnë. Ata vrasin përmes tokës, detit dhe ajrit. Dhe, më e keqja nga të gjitha, ata i përbaltin viktimat e tyre të pambrojtura si ‘terroristë’,” pretendohet se ka thënë në 2014 Attenborough, i cili njihet për dokumentarët e natyrës që ka shkruar dhe prezantuar për BBC.

Megjithatë, nuk ka prova se Attenborough e ka bërë ndonjëherë këtë deklaratë. Citati nuk shfaqet as në faqen e tij zyrtare, as në llogarinë e tij në Instagram.

Një zëdhënëse nga BBC tha për Check Your Fact se “ky citat nuk është i Sir David, dhe si i tillë nuk duhet t’i atribuohet atij.” 

Një zëdhënës i Attenborough konfirmoi më tej për Reuters se “kjo nuk është thënë kurrë nga Sir David.”

Duket se ky citat i rremë ka 10 vite që qarkullon në rrjet. Sipas Snopes, duket se ai e ka origjinën në një koment të lënë nën një artikull të medias iraniane PressTV nga një përdorues, i cili e kishte quajtur veten David Attenborough më 21 korrik 2014.