Pretendimi: Të dhënat ushtarake të SHBA-së shënojnë rritje 500% të rasteve me SIDA që pas vaksinimit anti-Covid

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————

Në rrjetet konspiracioniste po rishpërndahet një lajm nga viti 2023 që pretendon se ushtria amerikane ka regjistruar një rritje 500% në rastet me HIV pas vaksinës anti-Covid.

Postimi i mësipërm i referohet një artikulli të botuar më 1 mars 2023 në faqen e komentatorit politik amerikan Hal Turner.

Në brendinë e tij, ky artikull nuk ofron ndonjë provë apo burim për pretendimin se rastet e HIV janë rritur me 500% në ushtrinë amerikane.

Në mars 2023, një zëdhënës i Departamentit të Mbrojtjes tha për USA Today se pretendimi i artikullit nuk është i vërtetë.

Infeksionet me HIV nuk janë rritur që nga vaksina dhe në fakt kanë rënë ndjeshëm në vitin 2022, tha zëdhënësja e Departamentit të Mbrojtjes, Lisa Lawrence. Numrat nga viti 2017 në 2022 paraqiten në grafikun e mëposhtëm.

Këto shifra janë në përputhje me raportin e 2019 të Shërbimit Kërkimor të Kongresit mbi HIV/AIDS, në të cilin thuhet se rreth 350 anëtarë të shërbimit ushtarak diagnostikohen me HIV çdo vit.

Vaksinimi kundër Covid-19 nisën për herë të parë në dhjetor 2020. Në vitin 2021, 72 raste më shumë me HIV u diagnostikuan në krahasim me vitin 2020, duke përbërë një rritje prej 30%, jo 500% siç pretendohet. Në vitin 2022, kur vaksina vijonte të shpërndahesh, u diagnostikuan 185 më pak raste të reja me HIV, duke shënuar një rënie prej 60% nga viti 2021.