.

.

BallinaDezinformimi në kohë krizashLufta në UkrainëI ricikluar lajmi për trajnimin ushtarak nga Rusia të fëmijëve serbë

I ricikluar lajmi për trajnimin ushtarak nga Rusia të fëmijëve serbë

Fëmijët serbë nuk po stërviten nga forcat ruse, siç pretendohet në disa artikuj të publikuar në portale. “Faktoje” verifikoi se pamjet e risjella si aktuale i përkasin 5 viteve më parë dhe aktualisht kjo kompani nuk është prezente në Serbi.

Në një artikull të publikuar në portale në 12 maj njoftohet se të miturit në Serbi po trajnohen për luftë.

Serbia po trajnon fëmijët për luftë”, shkruan portali “Zgjohu Shqiptar”.

Screenshot, lajmi i publikuar nga portali

Nëse do të shohim më tej në tekst, vihet re se artikulli i referohet një deklarate të bërë nga eksperti i çështjeve të sigurisë në Kosovë, Agim Musliu në “Euronews Albania”.

Po e shohim se lufta në Ukrainë nuk po shkon ashtu siç e kanë planifikuar ushtarakët dhe politikanët rusë. Ka shumë impakt që po shihet dhe në Serbi. Serbia ka presion shumë të madh për shkak të dështimit rus në Ukrainë. Serbia po përsërit një doktrinë, kanë mendësinë që të trajniehet një gjeneratë të re për luftë”- citohet Musliu në lajmin e publikuar nga portali “Zgjohu shqiptar”. Mirëpo, në këtë artikull nuk ka asnjë detaj si po trajnohen fëmijët dhe ku bazohet portali për këto të dhëna.

Fillimisht bëmë një kërkim, ku rezulton se Musliu ka komentuar në “Euronews Albania” më 10 maj, disa pamje të publikuara në Twitter, ku tregonte si stërviteshin fëmijët serbë nga forcat ruse.

Ne bëmë një kërkim të mëtejshëm mbi këto pamje, ku një dokumentar i realizuar në vitin 2018 nga Radio Evropa e Lirë tregonte për stërvitjen ushtarake të fëmijëve nga grupi ‘E.N.O.T”. REL raporton se shumica e rinjve pjesëmarrës janë fëmijë të veteranëve serbë.

30 adoleshentë nga Serbia udhëtuan për në Rusi për të marrë pjesë në Kampin Ndërkombëtar të Rinisë Patriotike Ushtarake. Kampi drejtohet nga një grup ultranacionalist i quajtur E.N.O.T. Corp, trajnerët ushtarakë të së cilës i mësojnë fëmijët se si të gjejnë rrugën e tyre në pyll, të mbajnë armët dhe të përgatiten për ndonjë luftë të mundshme”, shkruan REL.

“Faktoje” kontaktoi edhe zotin Agim Musliu, i cili konfirmoi se këto pamje i përkasin vitit 2017. 

Në vitin 2017, tridhjetë fëmijë nga Serbia kaluan në Kampin Ndërkombëtar Ushtarak-Patriotik në Rusi, ku iu nënshtruan trajnimit të ngjashëm me atë të forcave speciale – me përdorimin e armëve të ftohta dhe kopjet e armëve automatike dhe bombave. Organizata ruse E.N.O.T, Korpusi që kryen stërvitje ushtarake për fëmijët nuk e fsheh se po i kthen në ushtarë të ardhshëm”, u shpreh Musliu për “Faktoje”.

Por, kush është grupi që stërviste këta të rinj? Sipas kërkimeve në internet, E.N.O.T është një kompani private ruse, e themeluar në vitin 2011 nga Igor Mangushev. Referuar mediave të huaja, veprimet e tyre ishin as agresive, saqë autoritetet serbe kanë kërkuar largimin e tyre nga vendi verën e vitit 2018.

Në vitin 2021,  financieri i E.N.O.T. Vladimir Morozov u dënua me 10.5 vjet burg për zhvatje, ndërsa një vit më vonë, udhëheqësi i organizatës Roman Telenkevich u dënua me 13 vjet burg për organizim të një komuniteti kriminal, zhvatje dhe kërcënim për të vrarë ose për të shkaktuar lëndime të rënda trupore. Sipas BBC, vetë themeluesi i grupit, nacionalisti famëkeq rus, Igor Mangushev u qëllua për vdekje në Ukrainë në shkurt të këtij viti.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img