.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookI ricikluar lajmi për padinë në arbitrazh nga kompania austriake

I ricikluar lajmi për padinë në arbitrazh nga kompania austriake

Në mesin e muajit prill, dhjetra portale shqiptare kanë ricikluar një lajm të një viti më parë, lidhur me padinë kundër Shqipërisë nga kompania austriake “Ivicom Holding”. Riciklimi i lajmit pas një vendimi arbitrazhi në favor të biznesmenit italian Beccheti, është tregues i përpjekjeve për të fituar klikime.

“Tjetër padi në Arbitrazh, kompania austriake kërkon 150 mln euro nga Shqipëria”, ky është titulli i një artikulli që mbushi portalet shqiptare më 15 prill në të cilin theksohej se vendi ishte përballë një tjetër padie në arbitrazh për shkak të prishjes së një marrëveshjeje me kompaninë austriake “Ivicom Holding”.

Titulli dhe teksti i njëjtë u shpërnda brenda pak orësh nga pjesa më e madhe e mediave online dhe u shoqërua më reagime të forta në rrjete sociale pasi lajmi vinte pak ditë pasi barra financiare e arbitrazheve kundër Shqipërisë u shtua me vendimin e ICSID lidhur me konfliktin ndaj biznesmenit italian Francesco Beccheti.

Të dhëna nga CrowdTangle mbi shpërndarjen e titullit të lajmit në Facebook tregojnë se Gazeta Standard ka qënë një nga portalet e para që ka publikuar këtë artikull. Ndërsa nga kërkimet në Google rezulton se artikulli është ndarë fillimisht nga syri.net dhe euronews.al.

*Të dhëna nga CrowdTangle mbi shpërndarjen e titullit të lajmit në Facebook

Përsa i përket lajmit, rezulton se kompania austriake “Ivicom Holding” ka paditur Shqipërinë në Dhomën e Arbitrazhit të Stokolmit duke kërkuar 150 milionë euro dëmshpërblim në prill të vitit 2022. Austriakët pretendojnë në padi se qeveria shqiptare ndaloi në mënyrë të njënashme projektin e ndërtimit të një termocentrali të madh në Korçë, i cili do të shfrytëzonte gazin e transportuar nga TAP për të prodhuar energji.

Për këtë arsye, më 22 prill të 2022 Avokatura e Shtetit ka hapur garën për të përzgjedhur studion ligjore që do të përfaqësojë qeverinë shqiptare në këtë proces.

I vetmi informacion i ri në në artikullin e ricikluar masivisht pas një viti është ai lidhur me një transaksion që Ministria e Financave ka bërë lidhur me studion ligjore që është përzgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë kundër kompanisë austriake.

“Mësohet se javën e kaluar, Ministria e Financave ka kryer një transaksion me vlerë rreth 150 milionë lekë të vjetra në llogarinë e një studio ligjore suedeze, e cila do të përfaqësojë Shqipërinë në përballjen me kompaninë austriake. Gjithashtu është kryer dhe një pagesë prej 500 mijë euro për konsulencë lidhur me mosmarrëveshjen.”

Shqipëria po paditet në gjykatat e arbirtrazhit nga kompani të ndryshme duke u shndërruar në një risk të madh fiskal për qëndrueshmërinë financiare të vendit. Pak javë më parë, ICSID la në fuqi dëmshpërblimin prej 110 milionë euro për çështjen e biznesmenit italian, Francesco Beccheti.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img