Pretendimi: Vaksina kundër Covid-19 kontribuoi në 73.9% të vdekjeve pas vaksinimit

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————————————

Në rrjete sociale po qarkullon lajmi se një studim i botuar në korrik 2024 ka treguar se vaksina anti-Covid ka kontribuar në 73.9% të vdekjeve pas vaksinimit.

‘Studimi’ në fjalë mban titullin “Një rishikim sistematik i gjetjeve të autopsive në vdekjet pas vaksinimit Covid-19” dhe analizon raportet nga autopsitë e njerëzve të vaksinuar kundër Covid-19, duke dalë në përfundimin se 73.9% e këtyre vdekjeve ishin “shkaktuar direkt ose kanë patur kontribut domethënës nga vaksinimi Covid-19.”

Një rishikim është një artikull shkencor që përzgjedh, vlerëson dhe përmbledh studime të tjera klinike dhe jep një vështrim të përgjithshëm mbi një temë të caktuar por, ndryshe nga një studim hulumtues, nuk bën zbulime të reja pasi nuk ka të dhëna të reja për t’i treguar komunitetit shkencor. Megjithatë, ai mund të argumentojë dhe të propozojë hetime të mëtejshme për një temë specifike kërkimore. Siç lexohet edhe në përfundimet e rishikimit në fjalë autorët thonë se “duhen hetime të mëtejshme urgjente për të sqaruar rezultatet tona”.

Lista e autorëve përfshin një numër personash që njihen për shpërndarjen e dezinformimit lidhur me Covid-19 dhe vaksinimin, si  Harvey Risch, Roger Hodkinson, dhe William Makis. Një prej tyre është kardiologu Peter McCullough, pretendimet e rreme të së cilit mbi vaksinimin anti-Covid bënë që Bordi Amerikan i Mjekësisë së Brendshme të rekomandonte heqjen e licensës së tij në 2022.

Dr. Peter McCullough ende rekomandon trajtimin e pacientëve me COVID-19 me Hidroksilklorinë dhe Ivermectin, edhe pse të dyja janë treguar se nuk funksionojnë kundër sëmundjes. Ai gjithashtu promovon dhe shet produkte të “detoksifikimit të proteinave thumb” për njerëzit që janë vaksinuar, pavarësisht se nuk ka prova që njerëzit e vaksinuar kanë nevojë për ndonjë detoksifikim të tillë.

Vlen të përmendet se 6 nga 9 autorët kanë lidhje me kompaninë The Wellness Company, ku McCullough është lider shkencor. Kompania shet suplemente që pretendohet se mbrojnë kundër “dëmeve nga vaksina.”

Një vit më parë, në korrik 2023, një version i këtij artikulli u postua në serverin Social Science Research Network (SSRN), që është i lidhur me revistën shkencore mjekësore The Lancet. Një ditë më pas, ai u fshi nga The Lancet sepse “përfundimet nuk mbështeteshin nga metodologjia e studimit.”

Metodologji me defekte

Artikulli deklaron se ka për qëllim të identifikonte marrëdhëniet e mundshme shkak-pasojë mes vaksinimit anti-Covid dhe vdekjes. Për ta bërë këtë, autorët kërkuan studime autopsie tek njerëzit që vdiqën pas vaksinimit. Ata identifikuan 134 studime nga të cilat 44, që përmbanin gjithsej 325 autopsi, plotësonin kriteret për t’u përfshirë. Më pas, tre mjekë shqyrtuan të gjitha rastet për të përcaktuar se cilat vdekje mund t’i atribuohen drejtpërdrejt vaksinimit kundër Covid.

Bazuar në informacionin e disponueshëm, ata arritën në përfundimin se 73.9% (240) e vdekjeve, shumica e tyre që kishin ndodhur brenda një jave pas vaksinimit, “mund t’i atribuoheshin sindromës së dëmtimit fatal nga vaksina”.

Termi “sindroma e dëmtimit nga vaksina” na bën të dyshojmë paanësinë e artikullit. Ndërsa termi “dëme nga vaksina” përdoret ndonjëherë për t’iu referuar efekteve anësore të vaksinimit, “sindroma e dëmtimit nga vaksina” është një term që është shtyrë në mënyrë specifike nga grupet anti-vaksinim për t’iu referuar ngjarjeve të padëshiruara që nuk kanë asnjë lidhje të provuar shkak-pasojë me vaksinimin, si vdekjet e papritura dhe kanceri.

Problemi i dytë është përzgjedhja e studimeve të përfshira në rishikim. Autorët përjashtuan shumicën (90) e studimeve të identifikuara në kërkimin e tyre. Ndërsa 25 prej tyre u përjashtuan sepse nuk kishin kryer autopsi ose nuk raportuan statusin e vaksinimit, 55 studime u përjashtuan pa treguar qartë arsyet se përse. Kjo është e rëndësishme sepse përfshirja ose përjashtimi i një numri kaq të madh studimesh mund të ndryshojë shumë rezultatet, dhe për këtë arsye nuk duhet të bëhet pa justifikim shkencor.

Sipas seksionit ku përshkruhet metodologjia, autorët përfshinë “Të gjitha studimet e autopsisë që përfshijnë vaksinat COVID-19 si një shkak të mundshëm vdekjeje”. Ky përkufizim i paqartë, së bashku me kriteret e paqarta të përjashtimit, ngre pyetjen nëse kishte anshmëri në mënyrën e përzgjedhjes së studimeve. Për shembull, është e paqartë nëse autorët përjashtuan studime të besueshme thjesht sepse përfshirja e tyre do të kishte sjellë rezultate që janë të papajtueshme me pikëpamjet e vetë autorëve mbi sigurinë e vaksinës Covid-19.

Eshtë edhe më shqetësuese kur merr parasysh se tre mjekët që rishikuan autopsitë dhe vendosën se cilat vdekje ishin shkaktuar nga vaksinimi ishin Hodkinson, Makis dhe McCullough. Siç e shpjeguam më lart, të tre kanë përhapur dezinformim mbi Covid-19 dhe vaksinat në të kaluarën, duke vënë në pikëpyetje objektivitetin e analizës së tyre.

Më tej, fakti që një person vdes pas vaksinimit kundër Covid-19 nuk mjafton në vetvete për të nxjerrë përfundime në lidhje me sigurinë e vaksinave. Kjo sepse, ndërsa një lidhje kohore mes vaksinimit dhe vdekjes është e nevojshme për të demonstruar lidhjen shkak-pasojë, ajo nuk është e mjaftueshme në vetvete.

Kjo është arsyeja pse raportet e rasteve janë përgjithësisht të pamjaftueshme në vlerësimin e lidhjeve shkak-pasojë. Për të nxjerrë ndonjë përfundim kuptimplotë, rishikimi së paku do të duhej të krahasonte gjetjet në autopsitë e njerëzve të vaksinuar me një grup kontrolli, të pavaksinuar. Megjithatë, rishikimi nuk përmban asnjë përpjekje për ta bërë këtë.

Në vend të kësaj, rishikimi thjesht spekulon mbi mekanizmat e supozuar me anë të të cilëve vaksinat Covid-19 shkaktojnë dëme, duke u fokusuar në “efektet e dëmshme” të supozuara të proteinës peplomere të induktuar nga vaksinimi.

Disa prova sugjerojnë se proteina peplomere e prodhuar gjatë infeksionit SARS-CoV-2 mund të jetë toksike për organe si zemra. Megjithatë, ky efekt nuk mund të ekstrapolohet drejtpërdrejt tek proteinat peplomere të provokuara nga vaksinat anti-Covid, të cilat janë të ndryshme nga ato të virusit dhe prodhohen në sasi shumë më të vogla. Në fakt, provat e disponueshme tregojnë se proteina peplomere e prodhuar përmes vaksinimit është përgjithësisht e sigurt.

Rishikimi pretendon gjithashtu se “numri i madh i vdekjeve të shkaktuara nga vaksina anti-Covid të vlerësuara në këtë rishikim është në përputhje me artikujt të shumtë që raportojnë vdekshmëri të tepërt pas vaksinimit”.

Në mbështetje të këtij pretendimi, autorët citojnë një studim të tërhequr dhe një artikull jo të rishikuar nga kolegët ose të botuar në një revistë shkencore nga Pantazatos dhe Seligmann që janë kritikuar gjithashtu për të metat e tyre metodologjike.

Ndryshe nga ç’sugjeron artikulli i autopsisë, raportet e vdekjes pas vaksinimit janë të pakta, siç shpjegon Qendra amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC). Për më tepër, hipoteza se vaksinat anti-Covid shkaktojnë ose rrisin rrezikun e vdekjes nuk është në përputhje me rezultatet nga studimet që tregojnë se njerëzit e vaksinuar nuk vdesin në një shkallë më të lartë se njerëzit e pavaksinuar.

Shumë faktorë të tjerë përveç vaksinimit mund të ndikojnë në rrezikun e vdekjes së një personi. Për shembull, mosha mesatare e vdekjes në autopsitë e vlerësuara në rishikim ishte 70.4 vjeç. Të qenit në moshë më të madhe dhe sëmundjet kronike rrisin rrezikun e vdekjes së një personi pavarësisht nga statusi i vaksinimit. Megjithatë, asnjë nga këta faktorë të mundshëm kompromentues nuk u mor parasysh në analizë.

Të moshuarit gjithashtu kanë shkallën më të lartë të vaksinimit në shumë vende, me norma afër ose mbi 90%. Kështu, është e pritshme që shumica e vdekjeve të ndodhin tek personat e vaksinuar. Por ky fakt nuk do të thotë se shkaku ishin vaksinat.

Shkurtimisht, narrativa e rishikimit bie drejtpërdrejt në kundërshtim me numrin e madh të provave që tregojnë se vaksinat anti-Covid janë të sigurta dhe shkaktojnë efekte anësore serioze shumë rrallë. Ky rrezik potencial është shumë i vogël dhe nuk i tejkalon avantazhet që vijnë nga vaksinimi.

Mathijs Binkhorst, pediatër në Qendrën Mjekësore të Universitetit Radboud, ri-analizoi rezultatet e studimeve të autopsisë të përfshira në artikull. Bazuar në përfundimet e autorëve të studimeve origjinale, Binkhorst zbuloi se vetëm 59 (18,1%) e rasteve ishin ndoshta ose me gjasa të lidhura me vaksinën. Pjesa e mbetur prej 267 rastesh (81,9%) nuk kishin lidhje me vaksinimin. Prandaj, në kundërshtim me atë që pretendohej në artikull, shumica dërrmuese e atyre vdekjeve nuk mund t’i atribuohen vaksinimit.

Binkhorst shpjegoi gjithashtu se këto raste duhen parë në kontekst. Të dhënat e studimeve erdhën nga 14 vende, të cilat administruan më shumë se 200 milionë doza vaksinash në periudhën e mbuluar nga artikulli. Shumica e të vdekurve ishin 70 vjeç e lart dhe kishin probleme të tjera shëndetësore. Këto karakteristika i bënë ata më të prekshëm ndaj komplikimeve nga Covid-19.