Pretendimi: “Astrazeneca” do të thotë “rruga drejt vdekjes” në latinisht
Verdikti: Mungon konteksti
Barbara Halla
Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon një foto ku emri Astrazeneca është ndarë në disa rrokje dhe fjalia është futur në Google Translate, ku jep si rezultat shprehjen “një rrugë drejt vdekjes.” Këtu bëhet fjalë për një manipulim të emrit të Astrazeneca për të dhënë rezultate specifike në Google Translate, edhe përse emri i Astrazeneca nuk ka të bëjë me vdekjen dhe vjen nga bashkimi i dy fjalëve të ndryshme si pasojë të shkrijres së dy kompanivë, një britanike dhe një suedeze.

Astrazeneca është një nga kompanitë kryesore që nisi prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave kundër Covid-19 përgjatë pandemisë. Si pasojë, ajo ka qënë shënjestra e shumë lajmeve të rremë nga persona apo organizata kundër vaksinave siç e kemi ndjekur edhe në Faktoje.
Ky postim në Facebook është pjesë e kësaj narrative kundër Astrazenca dhe vaksinave në përgjithësi. Pretendimi, që dallohet edhe nga komentet nën këtë postim, është që Astrazeneca është një kompani të cilës nuk mund t’i zihet besë.
Postimi në fjalë duket se ka marrë frymëzim nga një postim i ngjashëm i bërë nga faqe të tjera në Facebook, si në italisht dhe në anglisht.
Siç është verifikuar edhe nga kolegët italianë të Facta.it, edhe përse Google Translate arrin ta përkthje shprehjen “a stra ze neca” në fjalinë “një rrugë drejt vdekjes” kjo nuk do të thotë se bëhet fjalë për një shprehje të saktë në latinisht. Në fakt, shprehja e duhur e “rruga drejt vdekjes” në latinisht është “via ad mortem,” pasi shprehja “a stra ze neca” nuk përbën një shprehje gramatikisht të saktë në latinisht. Gërma “a” në latinisht nuk ka asnjë kuptim dhe nuk do të thotë “një,” ndërkohë që as fjalëve “stra” apo “ze” nuk mund t’u jepet një kuptim. Vetëm “necare” në latinisht do të thotë të “vrasësh” apo “të shtypësh.”
Kjo është verifikuar më tej edhe nga shoqata për verifikimin e fakteve Snopes, e cila kontaktoi specialistë të gjuhës latine për të konfirmuar se shprehja “a stra ze neca” nuk ka kuptim në latinisht.
Kjo mos përputhje midis Latinishtes korrekte dhe përkthimit nga ana e Google Translate vjen si pasojë e mënyrës sesi Google përkthen përmes hamëndjes, ose në bazë të parashikimit. Pra, sistemi i përkthimit të Google Translate, bën përafrime në bazë të fjalëve që i jepen, edhe kur ato nuk janë të sakta. Për këtë arsye, një grup fjalësh i ndarë në mënyrë tërësisht arbitrare, kanë një kuptim të caktuar në përkthim, por jo në gjuhën origjinale. Po të përpiqemi të bëjmë një përkthim përmes një përkthyesi tjetër automatik, nuk del i njejti rezultat.

Rezultat nga Lingvanex.com

Rezultat nga Translate.com
Në vitin 2019, AstraZeneca shpjegoi origjinën e emrit të markës së tyre në Twitter. Ata thanë, “‘Astra’ i ka rrënjët në greqishten astron, që do të thotë ‘yll’” dhe “‘Zeneca’ është një emër i shpikur, i krijuar nga një agjenci e udhëzuar për të gjetur një emër që fillonte me një shkronjë nga fillimi ose fundi i alfabetit dhe ishte i paharrueshëm fonetikisht, me jo më shumë se tre rrokje dhe nuk kishte kuptim fyes në asnjë gjuhë.”