Pretendimi: Ishujt Maldive i ndalojnë hyrjen izraelitëve duke u bërë vendi i 110-të në botë që përzë çifutët nga territori i vetë përgjatë historisë.
Verdikti: Mungon konteksti
—————————————
Lajmi se Maldivet kanë deklaruar se do të ndalojnë hyrjen e personave me pasaporta izraelite në shenjë proteste për luftën në Gaza po shpërndahet në rrjete sociale krahas pretendimit të pasaktë, dhe antisemit, se 109 vende në botë kanë përzënë hebrenjtë nga territoret e tyre.
Duket se pretendimi se 109 vende përgjatë historisë kanë përzënë hebrenjtë nga territoret e tyre e ka origjinën në faqen antisemite që i përket Kishës së Besimtarëve të Biblës (Bible Believers Church) në Australi. Ky grup gjithashtu mohon se Holokausti ka ndodhur.
Lista e Bible Believers përmban vetëm vite dhe emra vendesh, por asnjë referencë apo burim.
Më tej, në këtë list përfshihen jo vetëm shtete, por edhe qytete, rajone, dhe juridiksione të kishës. Për më tepër, siç vërehet në imazhin e mësipërm, disa vende numërohen më shumë se një herë. Disa instanca persekutimi që nuk përfunduan në dëbim, si dhe ngjarje që nuk kanë ndodhur kurrë gjithashtu përfshihen në listë.
Sipas Lidhjes Kundër Shpifjes (Anti-Defamation League), një organizatë ndërkombëtare jo qeveritare, pretendimi se hebrenjtë janë dëbuar nga 109 vende përdoret nga antisemitët “për të pretenduar se hebrenjtë duhet të jenë një popull dashakeq dhe i dëmshëm që të dëboheshin nga kaq shumë vende; ata e përdorin gjithashtu këtë shifër për të bërë thirrje për dëbimin e hebrenjve nga vendet ku ata jetojnë tani.”
Në Qershor 2021, senatorja hebreje e shtetit të New York Anna Kaplan mori një letër ku shkruhej “109 së shpejti 110”, duke iu referuar këtij miti antisemit.