Video e uljes në një zone të banuar në Kaliforni e një avioni ushtarak po qarkullon si një ogur lufte në rrjetet sociale. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se ishin parapërgatitjet për vizitën e presidentit amerikan Joe Biden në Kaliforni ato që duket se kanë ndezur frikërat dhe shpresat e konspiracionistëve për luftë.

—————————-

Në këto kohë të konfliktit ushtarak në Ukrainë dhe deklaratave të Rusisë për përdorimin e armëve bërthamore, çdo lëvizje e trupave ushtarake shihet më dyshim nga publiku. Në këtë situatë, video e një avioni duke fluturuar ulët mbi banesat në Kaliforni në ShBA, po nxirret nga konteksti në rrjete sociale, duke përfshirë edhe ato shqipfolëse.

Pamje nga video

Me anë të motorrit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, “Faktoje” zbuloi se video e mësipërme ishte postuar fillimisht në Twitter, me pretendimin se ishte “zbarkim ushtarak në lagje periferike në Larksper, Kaliforni”.

Megjithatë, siç shumë komentues në Twitter kanë vërejtur, këto manovra ushtarake nuk janë tregues të ndonjë lufte civile apo konspiracioni. Sipas gazetarit Tyler Rogoway, këto lloj avionësh, HMX-1 MV-22, përdoren për transportin e stafit dhe gazetarëve të Shtëpisë së Bardhë.


Shfaqja e tyre mbi qiellin kalifornian nuk është ndonjë ogur lufte, por thjesht pjesë e parapërgatitjeve të Shtëpisë së Bardhë për vizitën e lajmëruar të presidentit Joe Biden në Kaliforni, me datë 19 qershor.

Për më tepër, pamje avionësh ushtarak mbi qiellin kalifornian nuk janë diçka e pazakontë, edhe në raste kur ato nuk pasohen me vizita presidenciale. Kjo, ndër të tjera, për faktin e thjeshtë që ushtria amerikane ka 32 baza të ndryshme në shtetin e Kalifornisë.