Pretendimi: Presidenti amerikan Donald Trump ka ndërtuar një burg për armiqtë e shtetit nën një bazë ajrore në Groenlandë

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————

Në hapësirat online po qarkullon pretendimi se presidenti amerikan Donald Trump ka ndërtuar një burg sekret për armiqtë e shtetit në Groenlandë.

Si zakonisht, pretendimi nuk shoqërohet me ndonjë provë apo burim reference që e mbështet atë.

Baza ajrore që i referohet pretendimi njihej si Baza Ajrore Thule deri 2023, kur u riemërua për të njohur trashëgiminë kulturore të Groenlandës dhe u pagëzua Baza Hapësinore Pituffik.

Baza Hapësinore Pituffik ndodhet në bregun veriperëndimor të Groenlandës, rreth 1,200 kilometra në veri të Rrethit Arktik dhe 1,524 kilometra në jug të Polit të Veriut. Është rreth 1,500 kilometra në veri të kryeqytetit të Groenlandës, Nuuk.

Në vitin 1946, Shtetet e Bashkuara dhe Danimarka krijuan së bashku një stacion radio dhe moti afër vendit ku ndodhet baza sot. Grenlanda është një territor gjysmëautonom i Danimarkës.

Baza është e bllokuar nga akulli për nëntë muaj të vitit, por pista e saj ajrore mbetet e hapur gjatë gjithë vitit. Është në errësirë ​​të vazhdueshme nga nëntori deri në shkurt dhe në dritë të vazhdueshme nga maji deri në gusht.

Në fillim të viteve 1960, gjatë Luftës së Ftohtë, Projekti “Krimbi i Akullit” ishte një program top sekret i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, i cili synonte të ndërtonte një rrjet të vendeve të lëshimit të raketave bërthamore të lëvizshme nën shtresën e akullit të Groenlandës. Qëllimi ishte instalimi i një rrjeti të gjerë të vendeve të lëshimit të raketave bërthamore që mund t’i mbijetonin një goditjeje të parë. 

Megjithatë, raketat, të cilat mund të godisnin objektiva brenda Bashkimit Sovjetik, nuk u vunë kurrë në terren dhe pëlqimi i nevojshëm nga qeveria daneze nuk u mor asnjëherë.

Kjo sepse, megjithëse shtresa e akullit të Groenlandës duket, në sipërfaqe, e fortë dhe e palëvizshme, bora dhe akulli janë materiale viskoelastike, të cilat deformohen ngadalë me kalimin e kohës, në varësi të temperaturës dhe densitetit. Pavarësisht nga qëndrueshmëria e saj në dukje, shtresa e akullit është në lëvizje të vazhdueshme, të ngadaltë, duke u përhapur nga qendra për jashtë. Kjo lëvizje përhapëse, gjatë një viti, bën që tunelet dhe llogoret të ngushtohen, pasi muret e tyre deformohen dhe fryhen, duke çuar përfundimisht në një shembje të tavanit. 

Deformimi i kanalit të kampit

Brenda tre viteve pasi u gërmua, mostrat e bërthamës së akullit të marra nga gjeologët që punonin në kampin e themeluar si pjesë e projektit në 1959, 240 km larg Pituffik, treguan se akullnaja po lëvizte shumë më shpejt se sa pritej dhe do të shkatërronte tunelet dhe stacionet e ndërtuara brenda rreth dy vitesh.

Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara u shpjegoi zyrtarëve danezë në vitin 1960 se qëllimi i kampit ishte të testonte teknika të ndryshme ndërtimi në kushtet e Arktikut, të eksploronte problemet praktike me reaktorin bërthamor gjysmë të lëvizshëm PM-2A dhe të mbështeste eksperimentet shkencore në kapakun e akullit. 

Në 1957, Danimarka i kishte lejuar amerikanët të instalonin raketa të mbrojtjes ajrore dhe raketa artilerie, por jo raketa bërthamore. Ndërtimi i kampit dhe reaktorit bërthamor nën akull filloi pa leje të qartë nga qeveria e Danimarkës, duke çuar në një dilemë politike për kryeministrin e atëhershëm H. C. Hansen.

prill 2024, NASA fluturoi nëpër Groenlandë për të eksploruar aftësinë e radarit të saj për të vëzhguar veçori brenda profilit të shtresave të akullit. Radari UAVSAR zbuloi një veçori nën akull që NASA ishte në gjendje ta identifikonte si mbetjet e kampit, që tani janë të paktën 30 metra nën sipërfaqe.

Mbetjet e kampit

Ky historik i Projektit Krimbi i Akullt sillet për të vënë në pah ndërmarrjen masive logjistike, ekonomike dhe politike që kërkon ndërtimi i një strukture nën akullin e Groenlandës.

Nëse ShBA do të kishte nisur ndërtimin e një strukture të tillë nën bazën ajrore Pituffik, aktiviteti në zonë do të ishte i dukshëm për publikun dhe qeverinë vendase, si dhe atë daneze, të cilat do të duhej të miratonin një projekt të tillë në territorin e tyre.