Pretendimi: Shpëtohen mijëra fëmijë viktima të trafikimit nga Marina Abramoviç
Verdikti: E paprovuar
Në postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë pretendohet se është zbuluar një rrjet trafikimi të fëmijëve të drejtuar nga artistja performuese më famë botërore Marina Abramoviç.
“Task-forca Adrenochrome shpëton mijëra fëmijë viktima të trafikimit nga Marina Abramoviç…”, njoftohet në postimin më 17 janar të profilit “Patriotët e botës së re” në Facebook.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Postimi shoqërohet me një video, ku duket Vladimir Putin dhe një shkrim, ku thuhet: “Ukraina është kryeqyteti i adrenokromit”, një teori e fuqizuar prej propagandës ruse pas nisjes së sulmit të armatosur ndaj Ukrainës në 2022.
Nga verifikimi në të gjitha burimet serioze të informimit nuk gjetëm asnjë informacion për zbulimin e një rrjeti apo arrestim të Abramoviç.
Artistja serbe Marina Abramović, është e njohur në të gjithë botën për provokimet e artit të saj performativ. Veprat e saj kanë nxitur gjithmonë kureshtje për shkak të thyerjes së kufijve dhe sigurisht edhe dyshime për mesazhe të fshehta apo ritual sataniste në krijimet e saj.
Zanafilla e këtij postimi duket se është në vitin 2016, kur Wikileaks publikoi një email dërguar nga Abramoviç për lobistin liberal Tony Podesta, vëllai i kryetarit të fushatës së Klintonit, John Podesta.
Email-i, i cili i referohej pjesës së performancës së Abramović-it të vitit 1996, “Spirit Cooking” (Gatim shpirtëror), nxiti përfundimin e pambështetur se Abramović, vëllezërit Podesta dhe madje edhe Hillary Clinton ishin pjesë e një grupi okult që adhuronin Satanain.
Ky pretendim ka qarkulluar në rrjet dhe është përgënjeshtruar që në vitin 2021, si pjesë e teorisë QAnon. Lëvizja QAnon mbështetet mbi një teori konspirative që përshkruan ish-presidentin amerikan Donald Trump si një hero i vetëm që po luftonte një rrjet elitash që ishin pedofilë dhe vrasës fëmijësh. QAnon premtonte se këta komplotistë do të ekspozoheshin dhe ndëshkoheshin së shpejti në një “stuhi” që po vinte.
Një variant i hershëm i kësaj teorie konspiracioni, Pizzagate, pretendon se pjesëtarët e Partisë Demokrate të ShBA dhe disa restorante amerikanë ishin të përfshirë në një rrjet trafikimi fëmijësh dhe pedofilie. Ndikuar nga kjo teori, në 4 dhjetor 2016, një burrë nga North Carolina shkoi në picerinë Comet Ping Pong dhe qëlloi me armë.
Ekziston një sërë teorish konspirative, sipas të cilave, të famshëm dhe “elita liberale” kanë një rrjet të fshehtë të trafikut të fëmijëve dhe se ata nxjerrin adrenokromin nga këta fëmijë.
Ekziston një përbërës kimik që quhet adrenokrom, i formuar në laborator nga oksidimi i adrenalinës. Përdorimi kryesor mjekësor i tij është të ngadalësojë humbjen e gjakut duke nxitur mpiksjen në plagët e hapura. Është i disponueshëm për t’u blerë në internet nga studiuesit, ku shumica e dyqaneve thonë se burimi i tij është sintetik dhe përdorimet e tij janë frenimi i COMT (i cili çaktivizon disa neurotransmetues) dhe sinteza e prostaglandinave (yndyrnat e përfshira në koagulimin e gjakut).
Psikiatrit Abram Hoffer dhe Humphrey Osmond në vitet 1950 pohuan se adrenokromi mund të formohet në tru dhe mund të luajë një rol në sëmundjet mendore. Ata spekuluan se doza të larta të vitaminës C dhe niacinës mund të kurojnë skizofreninë duke reduktuar adrenokromin në tru. Megjithatë, studime të tjera që testuan përdorimin e terapisë me megavitaminë për trajtimin e skizofrenisë nuk konfirmuan ndonjë përfitim të trajtimit.