Pretendimi: Vaksinat anti-Covid përmbajnë elementë të padeklaruar që shkaktojnë çrregullime shëndetësore

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————————-

Në rrjetet konspiracioniste po shpërndahet pretendimi se vaksinat anti-Covid përmbajnë elementë të padeklaruar, përfshi 11 metale të rënda, të cilët shkaktojnë çrregullime shëndetësore.

Postimi i mësipërm, si zakonisht, nuk citon ndonjë burim apo referencë për këtë pretendim. Megjithatë, Faktoje gjeti se këto pretendime e kanë zanafillën në një artikull me titull “Të paktën 55 elementë kimikë të padeklaruar të gjetur në vaksinat e COVID-19 nga AstraZeneca, CanSino, Moderna, Pfizer, Sinopharm dhe Sputnik V, me PreciseICP-MS” të botuar në tetor 2024 në botimin Revista Ndërkombëtare e Teorisë, Praktikës, dhe Hulumtimit të Vaksinave (IJVTPR).

Vlen të përmendet se revista IJVTPR është një revistë që doli gjatë pandemisë Covid-19 dhe që nga numri i parë ka botuar artikuj kritikë ndaj vaksinave që po zhvilloheshin kundër Covid-19. Përveç kësaj, bordi i saj editorial përbëhet nga profesionistë të letërsisë, filozofisë, gjuhësisë dhe drejtësisë, ndër të tjera, pra jo specialistë të imunologjisë.

Revista ka një ton haptazi mohues në lidhje me vaksinat në përgjithësi dhe vetë pandeminë Covid-19. Ajo pretendon se kjo e fundit është “krijuar dhe promovuar” nga Anthony Fauci, një specialist amerikan i sëmundjeve infektive. Vetë artikulli i mësipërm i quan vaksinat “eksperimentale.”

Përfundimet e artikullit janë vënë në dyshim nga ekspertë të fushës.

Adriano Andricopulo, profesor i kimisë mjekësore dhe president i Akademisë së Shkencave të São Paulo (ACIESP), tha për kolegët e Estadão Verifica se ka shumë pak gjasa që metalet e rënda të përmendura në artikull të jenë të pranishme në vaksina. Vaksinat duhet të kalojnë një proces rigoroz pastrimi për t’u miratuar nga agjencitë rregullatore. “Kur flasim për elementë si arseniku, nikeli, bakri… Nuk përdoren si përbërës, nuk janë pjesë e përbërjes”, tha ai.

Kimistja Marcia Mesko, anëtare e Grupit të Punës për Papastërtitë Elementare të Farmakopesë Braziliane, shpjegoi se njerëzit janë të ekspozuar ndaj elementeve ‘kontaminuese’ çdo ditë, nga grimi tek ushqimi. Legjislacioni aktual përcakton kufijtë maksimalë si për kontaminuesit organikë dhe inorganikë, të cilët mund të jenë të pranishëm në elementët kimikë.

“Mund të themi se në këtë artikull në asnjë moment nuk thuhet se disa nga elementët janë të pranishëm dhe në përqendrime mbi legjislacionin e lejuar”, shpjegon ajo. “Pra, ata duhet të kishin kontrolluar legjislacionin për të thënë nëse këto elemente janë të kontrolluara dhe nëse ndonjë prej tyre është mbi atë që lejohet”.

Isabella Ballalai, drejtore e Shoqatës Braziliane të Imunizimeve, thotë se nuk ka kuptim të supozohet se vaksinat i fshehin këta elementë. “Gjithçka që është futur në vaksinë duhet të jetë e shënuar në paketimin. Edhe diçka që nuk është përbërës, por është në proces, si p.sh. një konservues, duhet të përshkruhet për agjencinë rregullatore që do ta miratojë atë.”

Sipas Ballalai, nëse vaksinat do të përbënin rrezik për njerëzit për shkak të kontaminimit të supozuar, agjencitë rregullatore do ta kishin vënë re. Megjithatë, realiteti tregon të kundërtën. Miliarda doza janë administruar në mbarë botën. Të dhënat tregojnë se vaksinat janë të sigurta dhe ishin të nevojshme për të kontrolluar shkallën e vdekshmërisë nga COVID-19.

Ekspertët kanë vënë në pikëpyetje edhe metodologjinë e përdorur nga autorët e artikullit.

Sipas kimistit Luiz Carlos Dias, sasitë e elementëve të përmendur janë të vogla, dhe jo toksike ose vdekjeprurëse.

Sipas tij, niveli i ndjeshmërisë së teknikës së supozuar të përdorur në artikull, ICP-MS, është në gjendje të identifikojë gjurmët e elementeve kimike në pjesë për miliardë ose për trilion. “Pothuajse të gjithë tabelën periodike do ta zbuloni edhe në ujin e pijshëm (me këtë teknikë)”, thotë Dias.

Për të, artikulli shpërfill faktin se alumini është një nga elementët më të bollshëm në natyrë. “Ka alumin në çdo gjë: në ujë, në tokë, në ajër, praktikisht në çdo gjë që hamë, në të gjitha ushqimet, në të gjitha pijet dhe e njëjta gjë vlen edhe për të gjithë këta elementë që përmendin në artikull”, shpjegon ai.

“Është një teknikë shumë e ndjeshme, kështu që do të zbulojë gjithçka. Zbulimi është ndryshe nga të kesh sasinë në nivelin që është toksike”, thotë Dias. “Këtu nuk ndodh kështu, sasitë janë jashtëzakonisht të vogla. Nëse ka (këto elementë) në ujin e pijshëm, si nuk do të jenë të pranishëm në vaksinat, të cilat përdorin ujin për t’u përgatitur, për t’u holluar? Pra, është një punë shumë e pandershme, me një paragjykim të qartë mohues, anti-vaksinë, pa një metodë adekuate të njohur të vërtetimit.”

Vërejtja e Dias ilustrohet, në fakt, nga tabela e mëposhtme, një nga disa të ngjashme të përfshira në artikull ku tregohen elementet që pretendohen që janë gjetur në vaksina dhe sasitë e tyre në mikrogram/litër. Me kryq, ose me ngjyrë të verdhë, janë shënuar elementet e deklaruara si përbërës në vaksina. Siç vërehet, sasitë e këtyre elementeve ndryshojnë nga ato të padeklaruarit me disa rende madhësie. 

Për shembull, në rastin e Sputnik II-840621, përfshihet si element Natriumi, i cili është deklaruar nga prodhuesi, në sasinë 4.3 milionë ug/l (ose 4.3 g/l) si dhe Holmiumi, në sasinë 0.0054 ug/l (ose 0.0000000054 g/l). 

Për një shpjegim pamor, imazhi i mëposhtëm tregon krahasimin e një grami me një mikrogram.