Pretendimi: Gazetari shqiptar Artur Zheji nuk vdiq nga zemra, por nga vaksinat
Verdikti: E paprovuar
———————————————
Gjatë viteve të fundit grupet anti-vaksinë shfrytëzojnë vdekjen e kujtdo për të pretenduar se shkaku është e ashtuquajtura ‘vraksina’ anti-Covid. Viktima më e fundit e kësaj teorie është publicisti shqiptar Artur Zheji, i cili ndërroi jetë më 23 gusht 2025.
Kështu, një artikull i portalit Patriotik Media Albania parashtron pretendimin e jashtëzakonshëm se Zheji, në të vërtetë, nuk ka vdekur nga një arrest kardiak, siç u raportua, por nga “vaksinat dhe nga sistemi që fsheh të vërtetën.”
Ajo që sillet si ‘provë’ për këtë pretendim është fakti se Zheji “e ka pranuar se kishte bërë një numër të madh vaksinash,” duke e shoqëruar këtë pretendim me një citim të shkëputur nga një pyetje apo koment të Zhejit, ku kërkohet më shumë transparencë, gjatë një emisioni televiziv. Artikulli nuk sqaron se cilat vaksina, dhe nuk provon asnjë lidhje mes vaksinave, të pakta apo të shumta, dhe vdekjes.
Artikulli pretendon se “Zheji ishte i ekspozuar ndaj pasojave të vaksinave që, sipas studimeve ndërkombëtare, mund të shkaktojnë dëmtime kardiovaskulare edhe tek personat që më parë nuk kishin sëmundje të zemrës.” Megjithatë, “studimet ndërkombëtare” në fjalë nuk citohen.
Artikulli ngre dyshime mbi versionin zyrtar të atakut kardiak, duke pretenduar se Artur Zhehi nuk kishte histori sëmundjesh të zemrës. Përkundër këtij pretendimi, publicisti i ndjerë kishte deklaruar edhe publikisht kryerjen e një ndërhyrjeje në Gjermani në vitin 2019, pra përpara shpërthimit të Covid-19 dhe fushatave të vaksinimit, dhe që prej këtij momenti ishte këshilluar nga mjekët që të kryente sa më shumë aktivitet sportiv.
Sipas Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve, rreziku (i panjohur) nga miokarditi dhe perikarditi pas marrjes së vaksinës anti-Covid ekziston kryesisht tek meshkujt adoleshentë dhe të rinj. Kur vdiq, Zheji ishte 63 vjeç.