Armët kundratank që janë filmuar në duart e karteleve meksikane të drogës nuk janë eskluzivitet i ushtrisë amerikane dhe nuk ndodhen vetem në Ukrainë. Verifikimet tregojnë se nuk ka asnjë bazë për këto pretendime dhe njerëzit kanë keqinterpretuar përmbajtjen e videos.
—————————
Në rrjete sociale po shpërndahet me shpejtësi një video, përmes së cilës, ngrihen pretendime se armët e dërguara në Ukrainë kanë rënë në duart e karteleve të drogës meksikane. “Një pjesë e armëve luftarake amerikane që u dërguan drejt Ukrainës, kanë përfunduar në duart e karteleve të drogës meksikane dhe ndodhen pranë kufirit Meksikë-Shba”, shkruan një përdorues në Facebook në 1 qershor.
Postimi shoqërohet me një video ku shfaqet një spikere lajmesh që raporton për një anëtar të supozuar të Kartelit të Gjirit – i njohur ndryshe si Cartel Golfo – i cili është i vendosur në Matamoros, Tamaulipas.
Postimi shoqërohet me një video që ka marrë dhjetra shikime.
Pamjet më tej tregojnë një burrë me një këmishë rozë të çelur dhe xhinse blu, duke mbajtur një armë të madhe me një logo në çantën e shpinës, e cila tregon një akrep, simbol i kartelit meksikan.
Këto pamje në rrjete sociale po përhapen masivisht me pretendimin se spikerja në gjuhën spanjolle konfirmon se bëhet fjalë për armën kundratanke “Javelin” të ushtrisë amerikane.
Kolegët tanë të Associated Press kanë verifikuar se pretendimi i ngritur në rrjete sociale është i pavërtetë. Mesa duke klipi po përkthehet gabimisht, si dhe arma është identifikuar gabim.
Sipas verifikimit të bërë nga AP, spikerja e lajmeve e ka përmendur Ukrainën vetëm njëherë gjatë raportimit dhe kurrë nuk pretendoi se arma e parë në video kishte origjinën nga atje.
“Një anëtar i supozuar i kartelit Tamaulipas u xhirua duke mbajtur një nga armët më ekskluzive dhe më të fuqishme, një Javelin, i cili teorikisht i shitet vetëm ushtrisë dhe që është përdorur në pushtimin e Ukrainës, për shembull,” thotë ajo në spanjisht.
Mark Hvizda, një analist i mbrojtjes nga kompania Rand, tha se arma në klip nuk është një Javelin, por një AT4, një tjetër armë antitank që qëllon granata.
AT4 prodhohen normalisht nga një kompani suedeze dhe përdoren gjerësisht nga shumë ushtri në mbarë botën. Ekziston një version amerikan i AT4, të cilin ushtria e quan M136 AT-4, megjithatë është e paqartë nga video se cili model ishte ky, tha Hvizda.
Për më tepër, nuk ka asnjë provë që AT4 nga video është nga një arkë armësh e dërguar në Ukrainë, thanë për Associated Press ekspertë që hulumtojnë krimin e organizuar në Meksikë.
Ndërsa teorikisht është e mundur, ka më shumë gjasa të ketë ardhur nga kanale të tjera të tregut të zi ku granatat me raketa janë të disponueshme më afër Meksikës, shpjegoi Falko Ernst, një analist i lartë meksikan në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, në një email për AP.
Këto kanale përfshijnë direkt nga SHBA-të, ose nga ushtritë e disa vendeve të Amerikës Latine, si ushtria meksikane, e cila ka gjithashtu AT4.
“Shumë hipotetikisht, po, disa nga Ukraina mund të kanalizohen në Amerikën Latine – por përsëri, kanale të tjera janë më të mundshme,” tha Ernst.
Nathan Jones, një profesor i asociuar në Universitetin Shtetëror Sam Houston në Teksas, tha se armët që po devijohen nga SHBA në Meksikë ka të ngjarë të kenë ardhur nga tregu i brendshëm legal.
Jones citoi një studim të Zyrës së Përgjegjësive të Qeverisë së SHBA-së, i cili zbuloi se 70 për qind e armëve të kontrabanduara ilegalisht në Meksikë ishin prodhuar në Amerikë. Jones tha se është “jashtëzakonisht e pamundur” që karteli të marrë një AT4 nga Ukraina.