Pretendimi: Presidenti shqiptar Bajram Begaj është bindur nga ministrja e jashtme Elisa Spiropali të ulet pranë ambasadorit serb në ShBA
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————–
Disa foto që tregojnë presidentin shqiptar Bajram Begaj dhe ministren e jashtme Elisa Spiropali të ulur në një tryezë me, ndër të tjerë, ambasadorin serb në ShBA, po shpërndahen nga portale shqipfolëse me pretendimin se Spiropali “ka “tërhequr prej hunde” Begajn për ta pasur suvenir në foton me serbin, si dy përfaqësues të denjë të Shqipërisë dhe relatave të mira me shkiejtë.”


Foto nga kënde të tjera të tryezës së mësipërme tregojnë se e pranishme ka qenë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Pasi prania e Osmanit në një tryezë me ambasadorin serb shkaktoi polemika në publik, këshilltari i saj Bekim Kupina sqaroi kontekstin e takimit.
“Ftesa ka qenë për “US-Western Balkans Roundtable”, nga tre përfaqësues të administratës amerikane: z. Richard Grenell, i dërguar presidencial për misione speciale, Scot Bessent, sekretar i shtetit për Thesarin si dhe John Jovanovich, president i Bankës EXIM. Të ftuara kanë qenë të 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor, si dhe Kroacia. Të gjitha shtetet e ftuara kanë marrë pjesë. […] Në takim secili shtet ka prezantuar potencialin e vet ekonomik si mundësi për bashkëpunim me administratën Trump. Nuk ka pasur diskutime politike,” tha Kupina.
Në takim morën pjesë dhe ministri i jashtëm maqedonas Timco Mucunski dhe homologu i tij serb Marko Duric.
Delegacionet shtetërore nga Ballkani ndodheshin në New York si pjesëmarrës të sesionit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe kjo prezencë është shfrytëzuar edhe më parë për të organizuar takime bilaterale apo rajonale.