.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookI keqinterpretuar studimi që fajëson makinat elektrike për ndotje më të lartë

I keqinterpretuar studimi që fajëson makinat elektrike për ndotje më të lartë

Pretendimi: Makinat elektrike ndotin 1,850 herë më shumë se makinat me gaz

Rate: E pavërtetë

Raportet nuk treguan se makinat elektrike ndotin më shumë se makinat me karburant, siç pretendohet në postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë. Verifikimet e kryera dëshmojnë se analiza është keqintepretuar. 

Lajmi i një studimi që nxjerr në pah se makinat elektrike shkaktojnë më shumë ndotje në mjedis sesa ato me karburant po qarkullon së fundi online duke ngjallur habi.

Studimi/ Makinat elektrike dëmtojnë ambjentin, lëshojnë më shumë emetime toksike se ato me karburant”- njofton artikulli i Tirananews.al, i publikuar në 13 mars.

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Artikulli prezanton gjetjet e një studimi të agjencisë së të dhënave së fushës ‘Emission Analytics’, ku zbulohet se frenat dhe gomat e makinave elektrike lëshojnë 1,850 herë më shumë emetime në krahasim me grimcat që lëshohen nga djegia e karburantit të makinave modern të pajisura me filtra efektivë.

Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të këtyre pretendimeve, fillimisht duke kërkuar studimin, të cilit i referohet media online.

Në fakt studimi i vitit 2022 bëri një krahasim të sasisë së ndotjes së grimcave të lëshuara nga konsumi i ferrotave dhe gomave të makinave me gaz, me sasinë e emetuar nga tubacionet e gazit të makinave.

Sipas studimit, gomat sjellin 1,850 herë më shumë ndotje të grimcave, sesa emetimet e djegies në motor të automjeteve të reja me gaz. Të dyja llojet e grimcave janë të rrezikshme në rast se depozitohen në brendësi të rrugëve të frymëmarrjes së njeriut.

Megjithëse studimi dhe gjetjet janë të vërteta, në këtë studim nuk janë përfshirë fare makinat elektrike. Kjo konfirmohet për USA TODAY edhe nga Nick Molden, CEO i “Emissions Analytics”. Keqinterpretimin e studimit e ka ndihmuar citimi së fundmi i tij në një editorial në Wall Street Journal në formatin e gabuar.

Pavarësisht kësaj mospërfshirje të makinave elektrike në studim, kreu i kompanisë “Emissions Analytics” deklaroi në përgjigjen e tij se gjetjet shqetësuese për ndotjen nga frenat dhe gomat duhet të shërbejnë si një këmbanë edhe për mjetet elektrike.

Makinat elektrike lejojnë shoferët të përdorin më shumë fuqinë tërheqëse të gomave ndërkohë që përdorimi i baterive rrit peshën e makinave elektrike, të dy këto faktorë që kontribuojnë në konsumimin e frenave dhe gomave.

Zvogëlimi i peshës dhe aftësisë së përshpejtimit të automjeteve elektrike, si dhe përdorimi i gomave të veçanta të rezistueshme ndaj konsumit, janë opsione potenciale për të ndihmuar në zbutjen e këtij problemi, raporton “The Atlantic”.

Artikulli është verifikuar edhe nga kolegët e AFP, të cilët verifikuan se raporti nuk zbuloi se makinat elektrike ndotin më shumë se makinat me gaz.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img