Pretendimi: Kombinimi i domates dhe kastravecit është i dëmshëm për shëndetin

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————-

“Kurrë mos hani kastravecë dhe domate në të njejtën sallatë,” paralajmëron titulli i një artikulli që shfaqet në disa portale shqipfolëse kohë pas kohe.

Sipas artikujve të mësipërm, “arsyet kryesore pse mjekët e ndalojnë rreptësisht këtë kombinim është sepse këto perime kanë kohë të ndryshme tretjeje. Kur përzihet një ushqim që shpërbëhet më shpejtë me një tjetër që kërkon shumë kohë për t?u tretur do të thotë që ky i fundit do të fermentohet. Gjatë kësaj kohe për shkak të procesit të fermentimit trupi juaj do të përjetojë gazra dhe fryrje dhe mund të keni probleme intestinale”

Së pari, është e vërtetë që ngrënia e ushqimit me kohë tretjeje shumë të ndryshme mund të shqetësojë stomakun e disa njerëzve. Kjo ndodh sepse stomaku juaj nuk ka kohë për të tretur siç duhet ushqimet më të vështira përpara se të hyjnë në zorrën e hollë, dhe kjo mund të çojë në fermentim në zorrë dhe në gazra. 

Megjithatë, kastravecat dhe domatet nuk janë aq të ndryshme për sa i përket përbërjes së tyre.

Kombinimi më i keq i mundshëm që do të jepte këtë efekt do të ishte një ushqim me shumë fibra (fasule, brokoli, thjerrëza, etj) që hahet me ushqime të pasura me sheqerna dhe yndyrna, ndoshta diçka e skuqur. 

Fakti është se çdo vakt kompleks që përmban të dy llojet e ushqimeve do të ketë të njëjtin efekt. Nuk ka asgjë veçanërisht të keqe në kombinimin domate dhe kastravec.

Eshtë e vërtetë se kastravecat kanë një enzimë që shkatërron vitaminën C. Megjithatë, ata nuk janë frutat apo perimet e vetme me këtë enzimë. Ajo gjendet gjithashtu tek lakra, lulelakra, molla dhe bananet. Gjithashtu, duke qenë se kjo është një enzimë, rreziku për vitaminën C ekziston vetëm nëse përzieni domate të copëtuara me tranguj të copëtuar. Sapo këto perime të hyjnë në stomak, enzima do të tretet deri në aminoacide dhe nuk mund të dëmtojë më vitaminën C.