Pretendimi: U vërtetua integrimi i plazmideve të ADN (të pranishme në sasi të konsiderueshme në të ashtuquajturat “vaksina” kundër Covid-19) në gjenomin e qelizave njerëzore.
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————————
Plot pesë vite pas shpërthimit të pandemisë së Covid-19, në rrjete sociale vijon të qarkullojë pretendimi se vaksinat anti-Covid me mARN mund të ndryshojnë ADN apo gjenomin e njeriut.
Si provë për këtë është sjellë një punim i profesorit të biologjisë molekulare dhe gjenetikës Philip Buckhaults, i cili pretendohet se ka vërtetuar “integrimin e plazmideve të ADN-së (të pranishme në sasi të konsiderueshme në të ashtuquajturat “vaksina” kundër Covid-19) në gjenomin e qelizave njerëzore.”
Si rrjedhojë, pretendon postimi i mësipërm, “tërheqja e menjëhershme e këtyre serumeve, që shkaktojnë sëmundje dhe vdekje, është e domosdoshme.”
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se imazhi që shoqëron postimin është postuar vërtet nga shkencëtari Phillip Buckhaults në nëntor 2024.
Në një postim të gjatë në Twitter/X, Buckhaults shpjegon eksperimentin: “Ne rritim qeliza staminale normale epiteliale njerëzore në laboratorin tim. Është pjesë e punës sonë normale (hulumtimi i kancerit). Quhen organoidë. Këto nuk janë qeliza kanceroze, ato janë vetëm qelizat burimore normale që përbëjnë zorrën e trashë të njeriut. Ne “vaksinuam” disa nga këto qeliza normale dhe i rritëm për një muaj dhe pamë copa të ADN plazmide që vazhdonin në ADN gjenomike të qelizave të “vaksinuara”
Megjithatë, në të njejtin postim, Buckhaults deklaron se “kjo nuk do të thotë se integrimi po ndodh te njerëzit e vërtetë të vaksinuar.”
Përgjigjur pyetjes se si ky eksperiment tregon integrimin gjenomik dhe jo vetëm fragmente të ADN plazmide që mbeten në mostër, Buckhault shpjegoi më tej se “kjo nuk vërteton 100% integrimin gjenomik. Teorikisht është e mundur që të jenë vetëm pjesë të mbetura ende pas një muaji ndryshimesh mediatike dhe zhvendosjes së organoideve disa herë……. por kjo nuk ka gjasa.”
Në një postim të mëpasshëm më 29 dhjetor 2024, Buckhaults ripohon se “ky eksperiment nuk vërteton se po ndodh te njerëzit. Thjesht dëshmon se mund. Do të doja që ky të ishte një motivim i mjaftueshëm për industrinë farmaceutike për t’i pastruar edhe më shumë këto produkte për të nxjerrë jashtë ADN-në dhe do të doja të inkurajoja agjencitë rregullatore që të mandatojnë studime farmakovigjilence të integritetit të gjenomit afatgjatë.”
Në asnjë moment, Buckhaults nuk bën thirrje për tërheqjen e vaksinave.
Buckhaults, profesor dhe hulumtues në Universitetin e South Carolina, ende nuk i ka depozituar gjetjet e këtij eksperimenti për rishikim kolegial në ndonjë botim shkencor.
Kjo, jo vetëm sepse atij i mungon një vend apo mekanizëm i propozuar integrimi i ADN në qeliza, por sepse, siç pranon dhe vetë ai, “ky eksperiment u bë kryesisht për njerëzit që ishin paguar për ta tallur publikisht këtë ide (dhe për të shpifur reputacionin [e tij]).”
Duke iu përgjigjur një përdoruesje që e pyet e shqetësuar për rrezikun që djali i saj 12 vjeçar mund të hasë nga vaksinimi, Buckhaults e këshilloi të mos kishte merak, pasi i gjithë postimi ishte pjesë e një “argumenti budalla akademik midis shkencëtarëve dhe rregullatorëve.”
Ai shpjegoi se ky rezultat i eksperimentit nuk përbën gjetje përfundimtare, dhe nëse kjo do të ndodhë, publiku do të njoftohet nga zyrtarët e shëndetit publik.
“Mos u shqetësoni për këtë rezultat në lidhje me fëmijën tuaj. Ky është një debat shkencor rreth asaj që ndodh në kulturën e qelizave që “mund” të ndodhë te disa njerëz, por për shumicën e njerëzve kjo duhet të mbetet e parëndësishme për momentin. Është e vështirë t’i bësh këto debate shkencore në publik (dikur i kishim me dyer të mbyllura në konferenca), por tani gjithçka është hapur dhe publiku mund të alarmohet në mënyrë të panevojshme nga procesi i shkencëtarëve që kuptojnë se çfarë është dhe çfarë nuk është e vërtetë. Ju po shikoni procesin e shkencës, nuk po shihni ende një përfundim të fortë. Ndaj kujdesuni për fëmijën tuaj dhe mos u shqetësoni për këtë rezultat shkencor. Nëse është ndonjëherë e rëndësishme për njerëzit që do të komunikohet në një vend tjetër nga zyrtarët e shëndetit publik. Tani për tani ky është vetëm procesi i shkencës,” tha Buckhaults.