Pretendimi se miliarderi Bill Gates po financon një plan për prerjen e 70 milionë hektarëve pyje për të luftuar ngrohjen globale është i pavërtetë. Verifikimi i Faktoje zbuloi se një plan i tillë nuk ekziston.
——————————————
Në rrjete sociale po qarkullon pretendimi se miliarderi Bill Gates, protagonist i shpeshtë i teorive konspirative, “po financon shpyllëzimin e 70 milionë hektarëve pyll të virgjër – më pas druri do të varroset për të “shpëtuar klimën.”
Duket se pretendimi i mësipërm ka të bëjë me kompaninë Kodama Systems, në të cilën Gates është një nga investitorët kryesorë.
Kompania start-up Kodama Systems ka për qëllim prerjen selektive të pemëve në pyje të dendura dhe të rrezikuara nga zjarret në Kaliforni, dhe groposjen e tyre në shtetin fqinj të Nevadës.
Në Dhjetor 2022, kjo kompani deklaroi se kishte mbledhur një financim prej 6.6 milionë dollarësh nga një numër investuesish, përfshi edhe Breakthrough Energy Ventures, kompania e investimit e mbështetur nga Gates.
Megjithatë, përfaqësues të Gates dhe Kodama Systems e kanë mohuar pretendimin e mësipërm.
Një zëdhënës i Bill Gates shpjegoi për Associated Press se “Kodama ka shvilluar sisteme menaxhimi të pyjeve që janë të dizenjuara për të rritur produktivitetin e pyllit, parandaluar zjarre katastrofike, dhe rritur kapjen e karbonit duke groposur pemë të vdekura për ta ruajtur përgjithmonë karbonin që ato kanë kapur përgjatë jetës së tyre.”
Zëdhënësi i Kodama James Sedlak gjithashtu i mohoi pretendimet duke shtuar se pretendimi se do priten 70 milionë hektarë pemë është një keqinterpretim i një shifre të përmendur në një artikull të Forbes mbi kompaninë.
Në artikull deklarohet se Shërbimi amerikan i Pyjeve synon të “rrallojë” rreth 70 milionë hektarë pyje të dendura në ShBA perëndimore për të ulur rrezikun e zjarreve katastrofike.
Sedlak shpjegoi se kjo “nuk do të thotë që të gjithë pemët në këto hektarë do të priten dhe është keqkuptuar”.
Ajo që Shërbimi i Pyjeve dhe Kodama synojnë të bëjnë njihet si “rrallim ekologjik i pyjeve” gjatë së cilit disa pemë të rrezikuara hiqen nga pjesë të dendura të pyllit për t’i lejuar pemët e tjera të jenë më të shëndetshme, tha Sedlak.
Megjithëse kjo mund të duket kundërintuitive, tha ai, rrallimi i pemëve është i rëndësishëm jo vetëm për të përmirësuar përballjen me zjarret, por edhe për shëndetin e pyllit në përgjithësi.
Kodama synon të marrë kontrata rrallimi pyjesh nga Shërbimi i Pyjeve, agjenci të tjera publike dhe pronarë privatë.
CEO i kompanisë, Merrit Jenkins, tha se kompania shpreson të përqëndrohet në një pjesë të Maleve Sierra Lindore, duke prerë pemë relativisht të vogla, të cilat nuk mund të shndërrohen lehtë në lëndë druri.
Por, në vend që t’i djegë pemët e papërdorshme, siç ndodh zakonisht në këto përpjekje rrallimi, kompania do t’i groposte pemët në një vend të thatë në Nevada.
Kjo ka për qëllim shmangien e pasojave të shtrenjta dhe të dëmshme të djegies, ndërsa parandalon edhe kalbjen, një proces që gjithashtu çliron karbon në atmosferë, tha Jenkins.