Pretendimi: Shkencëtarët kanë përllogaritur që fundi i Botës do të jetë në 13 nëntor 2026
Verdikti: E pavërtetë
———————————————————-
Që prej fillimit të njerëzimit, kanë nisur të ekzistojnë pashmangshmërisht edhe alarmet për fundin e Botës. Mediat sociale kanë shërbyer që t’i japin edhe më shumë zë këtyre teorive. Një prej tyre është edhe artikulli i publikuar nga një portal informativ në median e re sociale Threads me titullin bombastik: “Shumë afër, caktohet data: Kur do të vijë fund i Botës.”
Sipas këtij artikulli, fundi i Botës do të vijë me datë 13 nëntor 2026 si pasojë e rritjes së së popullsisë botërore. Sipas artikullit, kjo datë bazohet tek një ekuacion i një shkencëtari austriak, Heinz von Foerster. Ekuacioni i van Foerster u publikua në revistën Science në vitin 1960, ku parashikohej se popullsia e Botës do të rritej në mënyrë eksponenciale, duke u dyfishuar çdo vit dhe brenda vitit 2026 toka nuk do të kishte burimet për të përballuar. Si pasojë, popullsia njerëzore do të zhdukej nga planeti.
Kur kanë kaluar mbi 60 vite nga publikimi i kësaj hipoteze të kufizuar, shumë faktorë kanë ndryshuar për të ndikuar në rezultatin e ekuacionit.
Së pari, rritja eksponenciale e popullsisë që von Foerster kishte parashikuar në 1960 nuk është vërtetuar. Ndonëse popullsia ka vazhduar të rritet në shifra totale, që në vitet 1960 ritmi i kësaj rritje është ngadalësuar ndjeshëm për shkak të uljes së numrit të lindjeve, siç e tregon ky grafik nga Our World in Data. Përkundrazi, shqetësimi i tanishëm i shumë popullsive (duke përfshirë Shqipërinë) është fakti që lindjet vjetore po bien me ritme të shpejta.
Grafiku i rritjes së popullsisë dhe rënia e dukshme e rritjes vjetore
Kjo formulë matematike është e mangët për të llogaritur edhe zhvillime të reja teknologjike dhe masa që mund të ndërmerren për të frenuar përdorimin e tepruar të burimeve natyrore të planetit nga një popullsi në rritje. Shkencëtarë, sociologë dhe ekonomistët kanë diskredituar si të pasakta rezultatet që mund të ofrohen me përllogaritje të tilla matematikore.
Vetë artikulli i portalit, pas titullit bombastik, shkruan si përfundim se, “Megjithatë, vlen të theksohet se nuk ka arsye për shqetësim pasi popullsia mund të rritet, por nuk do të arrijë në nivele alarmante.”