Pretendimi: Një studim holandez konstatoi se vaksinat kundër Covid rritën vdekjet e tepërta
Verdikti: Mungon konteksti
Artikuj të shpërndarë në portale në vendin tonë pretendojnë se vaksinat kundër Covid-19 mund të mund të kenë ndihmuar në rritjen e vdekjeve të tepërta dhe për këtë i referohen një studimi holandez.
“Studimi holandez: Vaksinat kundër Covidit mund të kenë ndihmuar në rritjen e vdekjeve të tepërta”- titullohet artikulli i ndarë në këto media.
Artikujt e shpërndarë në portale
Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të këtyre pretendime për të mësuar më tepër mbi këtë studim. Nga një kërkim i bërë online shihet se fillimisht ky informacion është shpërndarë nga media britanike “The Telegraph” që raportonte se: “Vaksinat e Covid mund të kenë ndihmuar në rritjen e vdekjeve të tepërta”. Më pas, në rrjetin X, ky postim u bë viral, duke marrë më shumë se 4 milionë shikime.
Në një reagim për kolegët e “Reuters”, ekspertët e të dhënave shëndetësore kanë deklaruar se pavarësisht se studimi i “BMJ Public Health”, diskuton mbi vdekshmërinë e tepërt gjatë pandemisë 2020-2022, nuk thotë se vaksinat e COVID po nxisin vdekjet.
Gjithashtu, revista që ka publikuar studimin, ka reaguar në lidhje me këto pretendime, duke i cilësuar si raportim të gabuar. “Hulumtimi nuk mbështet pretendimin se vaksinat janë një faktor kryesor kontribues në vdekjet e tepërta që nga viti fillimi i pandemisë”, sqaron revista.
“Kërkuesit panë vetëm tendencat e vdekshmërisë së tepërt me kalimin e kohës, jo shkaqet e saj”, thuhet në deklaratën e “BMJ Public Health”.
Shkencëtarët e të dhënave të shëndetit publik i thanë “Reuters” se gazeta nuk krijoi një lidhje me vaksinat dhe thanë se në të vërtetë tregoi se vdekjet e tepërta kishin filluar të bien në vitin 2022.
Sipas qendrës amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, vdekjet e tepërta janë një vlerësim i numrit të vdekjeve gjatë një periudhe të caktuar kohore mbi dhe përtej asaj që do të pritej bazuar në modelet e kaluara.
“Gjatë pandemisë COVID-19, pati rreth 1 milion vdekje të tepërta në 47 vende perëndimore në vitin 2020, 1.2 milionë vitin e ardhshëm dhe 800,000 deri në vitin 2022”, thuhet në studim, i cili në llogaritjet e bëra i referohet të dhënave nga “Our World in Data.”
Shifrat tregojnë se vdekshmëria e tepërt në 47 vende ranë në 175,000 në vitin 2023, ndryshe nga çfarë pretendon mediat britanike “The Telegraph” dhe mediat në vendin tonë.
Analiza e bërë përmend disa vaksina kundër COVID dhe dëme të dyshuara, por nuk thotë se ato janë shkak i vdekjeve të tepërta.
“Autorët e studimit nuk thonë se janë vaksinat që shkaktojnë vdekjet e tepërta,” tha për Reuters Stuart McDonald, nënkryetar i “Continuous Mortality Investigation”.
“Nëse dikush do të donte të argumentonte se ishin vaksinat që shkaktuan dëmin, duke krahasuar të dhënat e WMD për vdekjet e tepërta me shifrat e Our World In Data për marrjen e vaksinave, atëherë ata do të kishin një problem shumë të madh. Do duhet të shpjegonin se cila ishte arsyeja pse vendet e vaksinuara më së shumti – Zelanda e Re, Danimarka dhe Australia – kishin numrin më të ulët të vdekjeve të tepërta dhe ato më pak të vaksinuara – për shembull, Shqipëria, Bullgaria, Serbia dhe Mali i Zi – kishin numrin më të lartë të vdekjeve”, shton McDonald.
Më tej ai theksoi se ka pasur efekte negative nga vaksinat, por rastet ishin të rralla dhe se vaksinat kanë ulur ndjeshëm vdekshmërinë në mbarë botën.
Qendra më bazë në Holandë që publikoi studimin, “Princess Máxima Center for Pediatric Oncology” tha në një deklaratë: “Ne, si qendër duam të theksojmë se mbështesim fuqimisht vaksinimin dhe se ky botim sigurisht që nuk duhet të lexohet si një argument kundër vaksinimit. Studimi në asnjë mënyrë nuk demonstron një lidhje midis vaksinimeve dhe vdekshmërisë së tepërt, që në mënyrë të qartë nuk është gjetja e studiuesve. Prandaj na vjen keq që është krijuar kjo përshtypje.”
Faktoje ka verifikuar një sërë artikujsh të rremë në lidhje me vdekjet si pasojë e vaksinave kundër Covid.