Pretendimi: Një i dehur në Shqipëri iu bashkua grupit duke kërkuar veten me orë të tëra.
Verdikti: Mungon konteksti
—————————————————–
Rrjetet sociale po argëtohen me historinë e një burri, i cili ishte raportuar i zhdukur e më pas, duke qenë i dehur, iu bashkua grupit të kërkimit për të kërkuar veten me orë të tëra. Disa postime pretendojnë se ngjarja ka ndodhur në vendin tonë, duke e shoqëruar me tekstin “çfarë nuk ndodh në Shqipëri”.
Megjithatë, pavarësisht se ngjan një ndodhi humoristike, ngjarja në fjalë nuk ka ndodhur në Shqipëri.
Mediat shqiptare, si ato ndërkombëtare, kanë raportuar në vitin 2021 se burri i dehur ishte turku Beyhan Mutlu, i cili kishte humbur në një pyll në provincën Bursa pasi kishte dalë të pinte me miq. Kur Mutlu nuk u kthye, gruaja dhe miqtë e tij e raportuan të zhdukur dhe një grup kërkimi u mobilizua. Në pyll, Mutlu hasi grupin e kërkimit dhe vendosi t’u bashkohej. Kur grupi nisi të thërriste emrin e tij, ai u përgjigj: “Jam këtu.”
Më pas, një nga oficerët e shpëtimit e mori veç për t’i marrë një deklaratë. Mutlu ia hodhi fajin shokëve të tij që kishin ngritur në alarm policinë para se të kontrollonin zonën. Ndërkohë, nuk dihet nëse ai mori një gjobë nga policia apo jo.