Lajmi se supermarketet në Mbretërinë e Bashkuar kanë filluar të përdorin “pasaporta dixhitale të WEF” për t’u mohuar njerëzve ushqimin është i rremë. Dega e “Aldi” në Greenwich Londër, në të vërtetë, i kërkon blerësve të shkarkojnë një aplikacion për të bërë blerjet atje.

——————————————

Një video që po qarkullon edhe në rrjetet sociale shqipfolëse tregon dikë që po përpiqet të bëjë pazar në një supermarket në Mbretërinë e Bashkuar, pjesë e zinxhirit të supermarketeve Aldi. Personi në video tregon se nuk mund të hyjë në dyqan pa skanuar me anë të telefonit një kod QR. “Kjo më duket si fillimi i burgut dixhital për të cilin flitet,” thotë ai.

Video e shpërndarë në internet shoqërohet me pretendimin se “supermarketet në Mbretërinë e Bashkuar fillojnë të përdorin pasaportat dixhitale të WEF për t’u mohuar ushqimin qytetarëve.”

Për të kuptuar më mirë për çfarë bëhej fjalë, “Faktoje” fillimisht vendosi të kërkojë mbi termin “pasaportë dixhitale e WEF” (Forumi Ekonomik Botëror). Një kërkim i shpejtë në Google tregoi se ky term nuk ekziston veçse në rrethet e konspiracionistëve. WEF ka postuar më parë në Twitter mbi pasaporta dixhitale si zgjidhje për “promovimin e ekonomive rrethore”, por bëhej fjalë për pasaporta dixhitale për veshje, jo për njerëzit.

Duket se ideja e “pasaportës dixhitale” që po përdoret nga WEF për t’u mohuar njerëzve ushqimin është një koncept konspiracionist që është ushqyer së fundmi nga lejimi i konsumit të insekteve nga Bashkimi Evropian dhe besimi se ky është hapi i parë drejt kufizimit të ushqimit tradicional. 

Autori i videos, i cili e ka postuar atë në Twitter në 8 qershor 2023, nuk përmend ndonjë pasaportë dixhitale as në video dhe as në postim.

“Pra, jam në Londër për një natë, dhe po përpiqem të blej ca ushqime. Kaloj nga Aldi më i afërt, vetëm për të marrë vesh se që të hyj në dyqan duhet të shkarkoj një aplikacion dhe të skanoj një kod QR. Rezistojini këtyre gjepurave. Rezistojini identifikimit dixhital. Rezistojini çdo gjëje të bazuar në aplikacione. Jini pro-njerëz!” shkruan autori i videos, @NEOintheMCR në Twitter.

Video e postuar fillimisht në Twitter

Siç duket, autori i videos nuk po denoncon përdorimin e “pasaportës dixhitale të WEF”, por një model social që bazohet tejmase tek aplikacionet, duke hequr qeniet njerëzore nga ekuacioni. Komentuesit në Twitter ngritën gjithashtu shqetësime për faktin se ky sistem e bën dyqanin ushqimor të paaksesueshëm nga persona që nuk kanë një smartphone, se sa të sigurta janë të dhënat që do të aksesohen nga aplikacioni që duhet shkarkuar, dhe se eleminimi i opsionit për të paguar me para në dorë i hap rrugën monitorimit dhe gjurmimit nga shteti apo kompani private.

Termi konspiracionist “pasaporta dixhitale WEF” heq vëmendjen nga dhe zhvesh nga serioziteti shqetësimin legjitim të disave për pasojat që pagesa dixhitale ka dhe mund të ketë në shoqëri.

Dega e supermarketit Aldi në fjalë është hapur në Janar 2022 në Greenwich të Londrës. Ai u inagurua si dega e parë ‘pa kasa’, ku blerësit shkarkojnë aplikacionin Aldi Shop&Go, dhe pagesa u merret automatikisht nga karta e lidhur me aplikacionin. Një rrjet kamerash dhe sensorësh peshe gjurmojnë blerësit teksa ata bëjnë pazar, dhe më pas ata faturohen për sendet që ata kanë marrë. Degë të tilla kanë hapur dhe zinxhirë të tjerë supermarketesh si Tesco, Sainsbury’s dhe Amazon. Duhet të nënvizojmë se Aldi ka me mijëra degë të tjera ku klientët mund të vijojnë të bëjnë blerjet e tyre në mënyrën tradicionale.