Nga ky muaj, 791,257 pensionistë në të gjithë vendin do të përfitojnë indeksim në pagesat e tyre mujore në masën 4,1%.

‘Synimi kryesor i indeksimit është që të ruajmë fuqinë blerëse të pensioneve, kundrejt rritjes së çmimeve dhe efekteve të inflacionit.’, deklaroi ministri i ekonomisë Blendi Gonxhe, teksa lajmëronte vendimin e qeverisë për indeksimin e pensioneve.

Sipas të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore pensioni mesatar mujor në zonat urbane rezulton 18,234 lekë. Kjo nënkupton, se nga indeksimi 4,1% pensionistët në qytet do të përfitojnë mesatarisht 748 lekë më shumë duke nisur nga ky muaj.

Burimi: ISSH

Në zonat rurale, pensioni mesatar mujor rezulton 11,051 lekë. Për këtë kategori, shtesa nga indeksimi llogaritet 453 lekë në muaj.

Po ashtu, rreth 400 lekë më tepër do të marrin dhe personat me pension invaliditeti në qytet. Ndërsa ata që trajtohen me pension familjar do të përfitojnë rreth 550 lekë më shumë.

Indeksimi i pamjaftueshëm

Referuar ligjit 7703 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë” pensionet indeksohen çdo vit për të kompensuar pasojat e ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve.

Qeveria thotë se indeksimi mbulon ndryshimin e çmimeve të shportës, ku përfshihen kryesisht ushqimet, për periudhën gusht 2023 – gusht 2024, të matur nga INSTAT në mënyrë të dedikuar për kategorinë e pensionistëve, të cilat rezultojnë të jetë rritur po në masën 4,1 përqind.

Burimi: INSTAT

Vetë pensionistët shprehen të pakënaqur për shtesën 4,1 %. Sipas tyre, jetesa është shtrenjtuar dhe shpenzimet për ushqimet bazë janë të papërballueshme.

Edhe ekspertët e ekonomisë e vlerësojnë të pamjaftueshëm indeksimin e pensioneve në masën 4,1 %.

“Burimet e të ardhurave të pensionistëve janë fikse, ndërsa kostoja e mallrave vazhdon të rritet për ta, të paktën 3 vitet e fundit. Duke qenë se të ardhurat e tyre janë fikse, fuqia e tyre blerëse është ulur. Mallrat dhe shërbimet që ishin të përballueshme disa vite më parë tani janë një shqetësim i madh.”, argumenton Eduard Gjokutaj.

“Në fakt nevojitet që të paktën shtesa vjetore e pensioneve të jetë mesatarisht në vlerën 1,800 lekë/muaj që të konsiderohet se ka plotësuar realisht vlerën e humbur të fuqisë blerëse të pensioneve në 3 vitet e fundit.”, shpjegon ai.

Përfundim

Nisur nga verifikimi dhe informacionet e mbledhura deklaratën e ministrit të ekonomisë Blendi Gonxhe, për indeksimin e pensioneve nga muaji tetor e vlerësojmë të vërtetë.