Pretendimi: Tifozë serbë dhe shqiptarë u përleshën më 16 qershor në një bar në Gjermani
Verdikti: E pavërtetë
———————————————–
Në 16 qershor, një numër portalesh shqipfolës raportuan për një “sherr brutal” mes tifozëve shqiptarë e atyre serbë në qytetin Gelsenkirchen në Gjermani.
Artikujt e mësipërm vërejnë se përleshja ndodhi ditën kur skuadra serbe e futbollit pritej të luante kundër skuadrës angleze.
Ato i referohen raportimeve të mediave angleze, të cilat kanë pretenduar fillimisht se përleshja përfshinte tifozë shqiptarë, jo anglezë. Gazetarët anglezë konfirmuan përfshirjen e shqiptarëve në grindje bazuar mbi burimet e policisë gjermane. Nuk dihet nëse ngatërresa e shtetësisë së tifozëve anglezë në përleshje ishte e qëllimshme nga policia dhe mediat britanike për të evituar që huliganët anglezë të kërkonin hakmarrje në brendësi të stadiumit në ndeshjen e mbrëmjes të asaj dite.
Megjithatë, siç sqaron artikulli i përditësuar i tabloidit Daily Mail, pas përfundimit të ndeshjes, në një konferencë për shtyp policia e Gelsenkirchen ka thënë se zënka e dhunshme shpërtheu mes tifozëve serbë dhe anglezë.
“Ishte një sherr mes tifozëve anglezë dhe serbë, të cilët u ndanë nga policia”, tha një zëdhënës.
Mendohet se 150 persona u përfshinë në sherrin e dhunshëm. Policia arrestoi 7 tifozë serbë dhe një tifoz anglez.
Shefi i policsë së Gelsenkirchen, Peter Both, shpjegoi rrethanat:
“Grupi i tifozëve serbë ishin në restorant dhe sigurisht hëngrën atje dhe më pas një grup më i madh tifozësh anglezë u përpoqën të hynin në këtë restorant gjithashtu. Dhe kjo është pikërisht çfarë ndezi mosmarrëveshjen. Ajo që nuk themi dot kollaj tani, sigurisht, në retrospektivë, është a ishin serbët që nuk i lanë anglezët të hyjnë apo ishin anglezët që provokuan serbët. Sigurisht, kjo vështirë të sqarohet pas ngjarjes. Fakti është që kur ata u përpoqën të hynin në lokal, kishte një përleshje të menjëhershme fizike.”
Mediat kroate raportuan se mes tifozëve serbë në lokal ndodhej edhe djali i presidentit serb Aleksandër Vuçiç, Danilo, i cili u ndalua me shumë sforcim nga shoqëruesit e tij që të mos përfshihej në hedhjet e tavolinave dhe përleshjen e dhunshme.
Disa media shqiptare, përveçse shpejtuan për të shpërndarë lajmin e pakonfirmuar e shqiptarëve të dhunshëm, as nuk i kanë korigjuar këto artikuj pasi situata u sqarua.
Shënim: Data 18 qershor 2024 website Mitropoli e ka korrigjuar lajmin, pas verfikimit të të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.
Shënim: Data 18 qershor 2024 website Vizionplus e ka korrigjuar lajmin, pas verfikimit të të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.