Një video që tregon një turmë protestuesish duke hequr flamurin e Bashkimit Evropian nga një godinë për ta zëvendësuar me atë italian nuk ka lidhje me fitoren e zgjedhjeve nga partitë e djathta. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se kjo ngjarje i përket një proteste të vitit 2013, shumë kohë përpara se Meloni të vinte në pushtet.
Patris Pustina
Disa faqe në Facebook, ndër to faqja në gjuhën shqipe, por me titullin në anglisht Support for Erdoğan from Balkan, pas fitores së të djathtës ekstreme në Itali, kanë publikuar një video ku tregohet zëvendësimi i një flamuri të Bashkimit Evropian me flamurin italian. Një akt simbolik, ky, që sipas postimit përkon me “zgjedhjen e [Giorgia] Melonit në Itali” si një shenjë se “Bashkimi Evropian rrezohet ne Rome!”
Video tregon një protestues që ngjitet me shkallë në ballkonin e një godine qeveritare, ndërsa turma përreth përsërit refrenin “Italia, nazione, rivoluzione” [Itali, komb, revolucion].
Këta postues të videos në portalin shqiptar, kanë “harruar” të sqarojnë se ngjarjet e saj kanë ndodhur në vitin 2013, kur pjesëtarët e një grupi neo-fashist të quajtur CasaPound u ngjitën në selinë e Komisionit Evropian në Romë, në vazhdën e protestave në dhjetor të atij viti kundër vështirësive ekonomike dhe masave shtrënguese në vend. CasaPound nuk arriti kurrë të merrte vende në parlamentin italian dhe, në 2019, udhëheqësi i saj, Gianluca Iannone, deklaroi se ekzistenca e CasaPound si parti politike kishte përfunduar.
Në përshkrimin e videos së ngjarjes, të postuar në YouTube më 19 dhjetor 2013, nga CasaPound Italia, thuhet: “militantët e CasaPound vjedhin flamurin e Bashkimit Evropian si protestë kundër politikave ekonomike dhe financiare të Brukselit, për një sovranitet kombëtar dhe monetar.”
Personi që hoqi flamurin e BE ishte zëvendëspresidenti i CasaPound në atë kohë, Simone di Stefano. Si pasojë e këtij veprimi, ai u dënua me tre muaj burg dhe 100 euro gjobë për vjedhje nga gjykata e Romës.
Për të përforcuar më tej mungesën e lidhjes jo vetëm kohore, por edhe ideologjike mes protestës së heqësve të flamurit të BE dhe kontekstin e fitores së zgjedhjeve nga Giorgia Melonit, duhet të thuhet se mes të dyja grupimeve të së djathtës ka shumë kundërshti.
Asociimi i CasaPound me Melonin do të ishte i pakëndshëm edhe për vetë ata. Në muajin gusht, zëdhënësi i CasaPound, Luca Marsella paralajmëroi se “Meloni rrezikon të bëhet viktimë e së majtës.” Sipas gazetës torineze “La Stampa”, ka patur hatërmbetje mes partisë së Melonit, Fratelli d’Italia (FdI) dhe eksponentëve të CasaPound, që prisnin të futeshin në listën elektorale të FdI. Kur FdI hyri në koalicion me partitë Lega dhe Forza Italia, partitë e vogla në të djathtë të saj nuk donin të kishin fare të bënin më me Giorgia Melonin.
Nëse në 2013, e djathta, qoftë edhe ajo ekstreme, në Itali i kundërvihej kryesisht politikave shtrënguese ekonomike të BE, 9 vite më vonë, e djathta reaksionare që përfaqësohet nga Meloni ka kaluar në çështje më emocionalisht angazhuese si vlerat anti-LGBT, anti-emigracion, dhe ato nacionaliste.