.

.

BallinaProjekteLufta kundër dizinformimit dhe zhvillimi i medias në ShqipëriHapja e akademisë kombëtare e Interit në Korçë, një premtim i pambajtur

Hapja e akademisë kombëtare e Interit në Korçë, një premtim i pambajtur

Pesë vite më parë deputeti i Korçës Niko Peleshi premtoi se do të hapej Akademia Kombëtare e Interit, ku synohej që në bashkëpunim me klubin e futbollit Skënderbeu të kultivonin talentet e futbollit, përmes binjakëzimit me klubin italian të Interit. Por 5 vite më pas, projekti rezultoi një premtim i pambajtur, për arsye të mungesës së fondeve, siç konfirmohet zyrtarisht nga Bashkia Korçë.

Daniela Zisi

“ Jam në dijeni përmes kryetarit të bashkisë, që shumë shpejt do të firmoset edhe marrëveshja me Interin për të hapur këtu Akademinë Kombëtare të Interit, pra Inter Academi of Albania do të jetë në Korçë”- deklaroi 5 vite më parë deputeti i Korçës Niko Peleshi.

 Zhurma që bëri premtimi për hapjen e Akademisë Kombëtare të Interit në Korçë tashmë është fashitur dhe harruar edhe nga sportdashësit më të zjarrtë të ekipit të futbollit të Skënderbeut. Skënderbeu sot luan në Kategorinë e Parë, ndërsa ëndrra për t’u binjakëzuar me ekipin e Interit duket e largët për të gjithë. Pritshmëritë e sportdashësve sot janë realiste dhe shkojnë deri tek dëshira që ekipi i tyre të kthehet në Ligën Superiore.

“Me kujtohet diçka nga premtimi i bashkisë për të hapur këtu Akademinë e Interit. U tha që në Korçë do vinin trajnerë nga Italia. Po të ishte hapur Akademia e Interit do ishte shumë mirë edhe për ekipin e Skënderbeut dhe po ta kishin ata në dorë ekipin, ne do vazhdonim të ishim kampion”, – thotë Martini, një i ri inga Korça i cili prej shumë vitesh ndjek çdo ndeshje të ekipit të Skënderbeut. Të tjerë qytetarë kanë qenë skeptikë për ngritjen e Akademisë së Interit, qëkur u prezantua si ide nga deputetë dhe bashkia e Korçës.

Në lidhje me këtë projekt ne pyetëm kryebashkiakun e Korçës Sotiraq Filo i cili konfirmon mosrealizimin e tij dhe arsyet.

“Bashkia u angazhua maksimalisht për ta vënë në jetë këtë projekt shumë ambicioz, që do t’i shërbente jo vetëm sportit korçar, por edhe gjallërimit të jetës sportive, promovimit të qytetit e për pasojë edhe zgjerimit të ofertës turistike. Ne kërkuam mbështetje nga klubi i futbollit Skënderbeu për të përballuar një pjesë të shpenzimeve, por kjo nuk u bë e mundur. Nga ana tjetër, bashkia e vetme e nuk mund të mbulonte shpenzimet, që kërkonte një projekt i këtyre përmasave”,- sqaroi Filo, pa treguar detaje mbi vlerën e kontratës me klubin Italian dhe koston që duhet të përballonte bashkia.

Eksperti i sportit Romeo Xinxifi tha për Faktoje se kontrata me klubin Italian do të zgjaste për një periudhë pesë vjeçare dhe parashikonte hapjen e një Akademie që do të shkollonte, trajnonte dhe stërviste ekipet e futbollit të të gjitha moshave.  “Hapja e Akademisë së Interit do ishte një ngjarje shumë e rëndësishme jo vetëm për futbollin korçar, por edhe për qytetin. Së pari, sepse do kishim mundësi që të evidentonim talentet e futbollit nga trajnerët italianë dhe kjo do ta rriste cilësinë e ekipit tonë. Nga ana tjetër, Akademia do të krijonte mundësi që në Korçë të vinin të stërviteshin ekipe italianë apo nga vende të tjera të Evropës, duke i dhënë mjaft impakt edhe zhvillimit të turizmit rajonal”- u shpreh ai, duke shtuar se nga zbatimi i këtij projekti që mbeti vetem në letër, më shumë përfitim do të kishtë pala shqiptare se ajo italiane.

“Binjakëzimi i ekipit të futbollit ‘Skënderbeu’ me Interin apo ekipe të tjerë evropianë është jashtë mundësive të një bashkie si kjo e Korçës. Për të bërë marrëveshje të tilla duhen shumë para dhe shumë investime në infrastrukturë. Si mund të mendosh se do bëhen projekte të tilla kur bashkia është kaq dorështrënguar me ekipin e futbollit të Skënderbeut? Edhe një stadium që e premtuan 7 vite më parë akoma nuk e kanë ndërtuar”,- thotë Petri Niço një tjetër sportdashës.

Ne kontaktuam me përfaqësues të klubit të futbollit Skënderbeu për të mësuar më shumë hollësi mbi arsyet e dështimit të këtij projekti. Në kushte anonimati njëri prej tyre tha për Faktoje se nuk kishte mundur të mësonte shumë detaje financiare nga draftmarrëveshja me Interin pasi të gjithë procedurën e kishte bërë bashkia e Korçës. Më tej ai shtoi, se pavarësisht dëshirës së mirë për të binjakëzuar ekipin e Skënderbeut me klubin Italian të Interit, në vendin tonë nuk ka praktika të tilla të konkretizuara, pasi klubet shqiptare kanë mundësi të kufizuara financiare ashtu si edhe bashkitë.

Ndërkohë kërkesës zyrtare për informacion që dërguam Bashkia Korçë iu përgjigj me investimet e bwra nw parkun Olimpik, ku bashkohet Kompleksi Sportiv dhe Qyteza e Fëmijëve, fusha sportive futbolli,volejbolli,basketbolli,tenisi dhe pista atletike.

Hapja e Akademisë së Interit, një premtim që rezulton i pambajtur u prezantua në 2018-n, pas investimit për ndërtimin e Parkut Olimpik në qytetin e Korçës. “Draftmarrëveshja me klubin elitar italian u diskutua mes bashkisë dhe klubit të futbollit Skënderbeu dhe parashikonte hapjen e nje Akademie Futbolli, e cila do të ngrinte dhe trajnonte ekipet zinxhir të futbollit korçar, që në atë periudhë ishte në majë të ekipeve të Superligës. Por as bashkia, as klubi Skënderbeu nuk ishin në gjendje të merrnin përsipër shpenzimet e kontratës me klubin italian, trajnerët e të cilit do të asistonin sportistët e Skëderbeut. Veç kostos së trajnerëve italianë, marrëveshja parashikonte investime në infrastrukturën sportive, por edhe një pagesë vjetore të bashkisë ndaj klubit të Interit, që e rriste edhe më shumë vlerën e shpenzimve të këtij projekti”- pohuan në kushte anonimati përfaqësues të klubit Skënderbeu.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img