Pasi kryeministri Edi Rama shpalli ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin, si kundërpërgjigje ndaj sulmit kibernetik të korrikut 2022, disa portale shqiptare nxituan të lajmëronin se portali qeveritar e-albania kishte rënë sërish, si një hakmarrje nga Irani.
Patris Pustina
“Rama ndërpreu lidhjet, Irani i përgjigjet me tjetër sulm kibernetik shtetit shqiptar,” shkruan Pamfleti, duke iu referuar rënies së e-albania, që sipas portalit “ndodhi rreth 2 orë orë pasi kryeministri Edi Rama akuzoi qeverinë e Iranit.”
Si ‘provë’ e rënies së faqes e-albania portali ka përfshirë në artikull edhe një screenshot të faqes së paaksesueshme të e-albania. Megjithatë, ky screenshot nuk ka të bashkëngjitur datën apo orën kur është kapur.
Në kohën e shkrimit të këtij artikulli, në 8 shtator 2022, shërbimi e-albania është online dhe i aksesueshëm.
Pyetur nga “Faktoje”, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) tha se “nuk bëhet fjalë për bllokim të portalit e-Albania dhe as ndërprerje e punës së tij, por vetëm për një update rutinor”.
Përgjigjia elektronike nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit
Sulm nga Irani?
Edhe nëse shërbimi e-albania ka dalë përkohësisht jashtë shërbimit pas deklaratës së Ramës, pretendimi se kjo ka ardhur si pasojë e një sulmi si kundërpërgjigje e Iranit ka nevojë për argumentim të mëtejshëm. Që ky pohim të jetë i bindshëm duhet të provojë fillimisht se rënia erdhi nga një sulm, dhe më pas se ishte specifikisht një sulm iranian.
Duke marrë parasysh se problemet me portalin e-albania kanë qenë karakteristike të eksperiencës së qytetarëve që nga prezantimi i këtij shërbimi, një rënie e përkohshme ka më shumë gjasa të jetë si pasojë e një difekti teknik sesa një sulmi të qëllimshëm. Në këtë rast, siç u konfirmua dhe nga AKSHI, kjo ka ardhur si pasojë e një përditësim rutinë.
Për më tepër, edhe nëse do të bëhej fjalë për një sulm, nuk ka asnjë provë konkrete se ky sulm e ka origjinën nga Irani. Kujtojmë që, në rastin e sulmit të Korrikut, sulmuesit nuk bënë ndonjë përpjekje për ta fshehur lidhjen me Iranin. Kompjuterat e bllokuar të administratës shfaqën mesazhin: “Pse duhet të shpenzohen taksat tona në dobi të terroristëve të DURRËSIT?” duke iu referuar qartësisht disidentëve iranianë të strehuar në Manëz.
Një sulm tjetër nga Irani, sidomos një sulm që i kundërpërgjigjet diçkaje kaq serioze sa ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike, do të shoqërohej gjithashtu nga një mesazh identifikues. Vështirë të besohet se Irani i ka çuar një mesazh kërcënues Shqipërisë, por ka harruar ta firmosë. Reagimi zyrtar i Iranit, siç raportohet nga mediat shtetërore iraniane, ka ardhur disa orë pas deklaratës së Ramës.
Bazuar mbi sa më sipër, lajmi se e-albania u sulmua nga Irani pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike është jo i bazuar.