Pretendimi: Vendet e BRICS kanë miratuar një monedhë të re të përbashkët

Verdikti: Mungon konteksti

—————————-

BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut), një grup i themeluar në 2009 me qëllim bashkëpunimin ekonomik dhe shkëputjen nga varësia nga institucionet financiare perëndimore si FMN, mbajti samitin vjetor në Kazan, Rusi, më 22-24 tetor.

Samiti u pasua nga pretendime në rrjete sociale se BRICS kanë miratuar një monedhë të përbashkët, e cila do të mundë dollarin dhe euron.

Eshtë e vërtetë se gjatë takimit, liderët e këtyre vendeve diskutuan mbi propozimin e krijimit të një sistemi të pavarur pagese, me synimin reduktimin e varësisë nga dollari amerikan. Gjithsesi, nuk ka patur asnjë vendim për miratimin e një monedhe të re.

Deklarata e Kazanit, e nënshkruar nga shtetet pjesëmarrëse, nuk parashikon përdorimin e ndonjë monedhe të vetme BRICS. Në pikën 65 deklarohet:

“Ne mirëpresim përdorimin e monedhave lokale në transaksionet financiare midis vendeve BRICS dhe partnerëve të tyre tregtarë. Ne inkurajojmë forcimin e rrjeteve bankare korrespondente brenda BRICS dhe mundësinë e shlyerjeve në monedhën vendase nën Iniciativën e Pagesave Ndërkufitare BRICS (BCBPI), e cila është vullnetare dhe jo detyruese, dhe presim diskutime të mëtejshme në këtë fushë, duke përfshirë të Task Forcës së Pagesave BRICS.”

Mediat ruse e kanë etiketuar një model të fotografuar në dorën e presidentit Vladimir Putin si “kartëmonedhë simbolike”.

Sipas artikullit të Lenta.ru, sekretari i shtypit të Putin, Dmitry Peskov tha se kartëmonedha “simbolizon punën e përbashkët që po kryhet në kuadër të BRICS.” Sipas artikullit të Vladday.ru kartëmonedha ishte krijuar nga sipërmarrësi Evgeny Fedorov dhe printuar nga shtëpia e tij botuese.