.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookGreqia nuk kërkon 12 milje të tjera nga deti shqiptar

Greqia nuk kërkon 12 milje të tjera nga deti shqiptar

Lajmi se qeveria greke ka kërkuar zgjerimin e kufirit të saj detar “edhe me 12 milje të tjera” nga deti shqiptar është i pavërtetë. “Faktoje” verifikoi se deklarata e ministrit të punëve të jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, është keqinterpretuar nga portalet, duke ringjallur edhe njëherë reagimin e lexuesve për një çështje të ndjeshme.

Jona Plumbi

Diskutimet mes Shqipërisë dhe Greqisë për caktimin e kufirit detar vijojnë prej më shumë se një dekade pa arritur ende në një rezultat të gjithëpranuar. Të dyja vendet kanë rënë dakord parimisht që të përdorin të drejtën ndërkombëtare për të patur një shtrirje prej 12 miljesh në atë pjesë të detit ku kjo distancë është e lejuar dhe të pranojnë një gjykim të pavarur ndërkombëtar në pjesën e detit ku distanca mes kufijve tokësore nuk e lejon një respektim të këtij parimi. Rihapja e njëashme nga Greqia e pretendimeve për një shtrirje më të madhe sigurisht që do të përbënte një shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe acarim të marrëdhënieve mes dy vendeve tona.

Kjo ka qënë edhe arësyeja e vëmendjes me të cilën është ndjekur në mediat shqiptare një intervistë e ministrit të punëve të jashtme greke, Nikos Dendias për gazetën greke “Parapolitika”. I ndodhur në një situatë tepër të acaruar me fqinjin jugor, Turqinë, për cështjen e përcaktimit të kufirit detar, kryediplomati helen ka sjellë si shembull pozitiv praktikën e ndjekur për mosmarrëveshjet me Shqipërinë. Kjo pjesë e intervistës, ku flitet për “të drejtën greke për t’u shtrirë 12 milje nga territori i saj, ka shërbyer për të thurrur dhjetëra tituj për portalet shqiptare dhe është ndjekur me shumë interes nga lexuesit ne rrjet.

Një prej këtyre titujve shkon edhe më larg dhe “Faktoje” është ndalur për ta analizuar më tej këtë artikull. Bëhet fjalë për lajmin e publikura më 19 shtator nga portali me emrin sugjestionues “Gazeta Korrekte”, i cili i transmeton deklarat e Dendias me titullin “Kërkojnë edhe 12 milje të tjera nga deti shqiptar/ Mësohet se çështja me Greqinë shkon në Hagë”.

Lajmi i publikuar nga “Gazeta Korrekte”

Kushdo që lexon këtë titull, bazuar mbi pjesën “kërkojnë edhe 12 milje të tjera” mendon se Greqia është duke kërkuar të arrijë 24 milje nga deti me Shqipërinë. Një kërkesë që do të binte ndesh me atë që është dakordësuar deri më sot mes dy vendeve. Teksti në brendësi të lajmit ofron informacion të cunguar dhe pjesë të shkëputura nga intervista origjinale për të shpjeguar më tej “pretendimet” greke për 12 miljet.

“Faktoje” verifikoi më tej këtë artikull, për të zbuluar se titulli i tij është i bazuar mbi një keqinterpretim të intervistës së dhënë më 17 shtator gazetës greke “Parapolitika”. Intervista trajton situatën e nxehtë të kërcënimeve të Turqisë për cështjen e kufirit të përbashkët detar me Greqinë dhe në përgjigjen e fundit ndaj gazetarit, z. Dendias thotë edhe se: “Në janar 2021 pata nderin, duke vepruar në emër të qeverisë, t’i dorëzoj Kuvendit të Greqisë projektligjin për shtrirjen e ujërave territoriale në detin Jon, deri në Kepin e Tainaronit, në 12 milje detare. Në fakt, në nenin 1, pika 2 të këtij ligji, vendi ynë shprehet qartë se rezervon të drejtën për të ushtruar të drejtën përkatëse edhe në pjesë të tjera të territorit të tij. Ndaj shtrirja e ujërave territoriale në 12 milje detare është një e drejtë e patjetërsueshme e përcaktuar shprehimisht nga e drejta ndërkombëtare, të cilën vendi ynë do ta ushtrojë kudo dhe kurdo që të zgjedhë, për të mbrojtur interesat tona kombëtare.”

Deklarata e ministrit të jashtë grek rikujton vendimin e parlamentit grek, për të drejtën e shtrirjes me 6 deri në 12 milje në detin Jon, i miratuar në vitin 2021. Por këtë deklaratë korrekte të ministrit Dendias, lajmi i portalit shqiptar e interpreton si fakt që “qeveria greke po zgjerohet me 12 milje detare në ujërat që lagin edhe Shqipërinë”.

Sa i përket dërgimit të çështjes në gjykatën ndërkombëtare të Hagës, “Faktoje” ka konfirmuar se nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes pretendimit për shtrirje me 12 milje të Greqisë në detin Jon dhe dërgimit të marrëveshjes për detin mes Shqipërisë dhe Greqisë në Hagë. Sipas nenit 15 të Konventës së OKB mbi Ligjin për Detin, “kur brigjet e dy shteteve janë ballë për ballë ose në afërsi me njëri-tjetrin, asnjë nga dy shtetet nuk ka të drejtën, përveçse kur është arritur një marrëveshje ndërmjet tyre, për të zgjeruar detin territorial përtej vijave të mesme”. Duke qene se të dyja vendet tona kanë sipërfaqe të kufizuar mes dy brigjeve për të respektuar këtë distancë 12 miljesh, është zgjedhur një gjykatë ndërkombëtare, konkretisht në Hagë për të përcaktuar vijën ndarëse.

 

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img