Pretendimi: Greqia bllokon emigrantët shqiptarë, pas 30 marsit nuk lejohet lëvizja pa leje qëndrimi
Verdikti: Mungon konteksti
—————————————————-
Më 15 mars 2024, një numër mediash shqipfolëse dhanë lajmin se shteti grek nuk do të lejonte hyrjen e emigrantëve shqiptarë pa leje qëndrimi pas datës 30 mars. Disa prej tyre e karakterizuan këtë lëvizje si një “hakmarrje” ndaj Shqipërisë si pasojë e dënimit për korrupsion zgjedhor të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.
Në brendi, artikujt citojnë një postim të faqes Komuniteti Shqiptar në Greqi, e cila ka lajmëruar, më 15 mars se “Të gjithë emigrantët që jetojnë në Greqi dhe janë në pritje të lejes së qëndrimit, mund të udhëtojnë drejt vendeve të tyre 𝐯𝐞𝐭𝐞̈𝐦 𝐦𝐞 𝐥𝐞𝐣𝐞 𝐪𝐞̈𝐧𝐝𝐫𝐢𝐦𝐢. Nëse jeni në pritje të lejes së qëndrimit dhe keni në duar vërtetimin, 𝐧𝐮𝐤 𝐦𝐮𝐧𝐝 𝐭𝐞̈ 𝐮𝐝𝐡𝐞̈𝐭𝐨𝐧𝐢 𝐚𝐬 𝐝𝐫𝐞𝐣𝐭 𝐯𝐞𝐧𝐝𝐢𝐭 𝐭𝐮𝐚𝐣, pas datës 30 mars 2024.”
Postimi i mësipërm citon një vendim të botuar në fletoren zyrtare të qeverisë greke vitin e kaluar, i cili kishte si afat të fuqisë së tij datën 30 mars 2024.
Lajmi ka shkaktuar alarm tek mbi 200 mijë emigrantë shqiptarë që përllogariten se mund të preken nga një shtrëngim i të drejtës për të lëvizur me dokumentacionin e lejes së qëndrimit në vendin fqinj.
Ambasada shqiptare në Greqi sqaroi pas dy ditësh ngatërresën e krijuar. Njoftimi i saj zyrtar përfshinte një vendim të 19 marsit të qeverisë greke, ku periudha në të cilën emigrantët shqiptarë mund të hyjnë në Greqi vetëm me vërtetim aplikimi për leje qëndrimi është shtyrë deri më 31 dhjetor 2024.
Faqja Komuniteti Shqiptar në Greqi e ka përditësuar postimin duke përfshirë vendimin e 19 marsit.
Megjithatë, artikujt e portaleve nuk janë përditësuar, e kështu, rrezikojnë të keqinformojnë emigrantët shqiptarë që udhëtojnë drejt Greqisë.
Vendimi i fundit i autoriteteve greke, ka rrëzuar gjithashtu dyshimet për një “hakmarrje” të Greqisë pas dënimit të Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur në Himarë. Qarkorja e Qeverisë Greke për vlefshëmërinë e hyrjes-daljeve të emigrantëve, që jnë në pritje të marrjes së lejes së qëndrimit në Greqi, është një procedurë që rinovohet çdo vit. Kështu, qarkorja me afat 31 marsin 2024 ishte miratuar ne 28 dhjetor 2023, disa muaj përpara dënimit të Belerit.
Me afrimin e fundit të afatit të mëparshëm, është publikuar shtyrja e afatit deri në 31 dhjetor 2024 dhe e njëjta shtyrje mund të aprovohet edhe në vijim për të mundësuar lëvizjen e emigrantëve shqiptarë dhe nga vendet e tjera të rajonit dhe që mundësojnë plotësimin e kërkesës në rritje për punëtorë në bujqësi dhe sektorë të tjerë punësimi sezonalë.
Nuk duhet harruar që të gjithë shtetasit shqiptarë mund të udhëtojnë në Greqi pa kufizimet e qarkores së mësipërme greke me zotërimin e një pasaporte të vlefshme biometrike shqiptare.