Pretendimi: Teknologjia AI e Google ka treguar se fotografitë nga zbarkimi i “Apollo 11” në Hënë janë të falsifikuara.
Verdikti: Mungesë konteksti
Lajmi se teknologjia e Google ka treguar se fotot e zbritjes së ekuipazhit të “Apollo 11” në Hënë janë të falsifikuara po përdoret si provë për teorinë konspiracioniste që pretendojnë se NASA ka gënjyer publikun për këtë udhëtim historik në vitin 1969.
Anija hapësinore “Apollo 11” zbriti në Hënë më 20 korrik 1969, kur astronautët mbi të, Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin, u bënë njerëzit e parë që shkelnin në Hënë.
Duket se lajmi i mësipërm e ka burimin në një konferencë të organizuar në nëntor 2023 nga një kompani shtetërore ruse e quajtur Sberbank. Sipas televizionit rus REN TV, kreu i departamentit të kërkimit të të dhënave të Sberbank, Nikolai Gerasimenko, pretendoi se kishte analizuar një foto të zbarkimit në Hënë me ndihmën e rrjetit neural të Google. Gerasimenko tha se rrjeti gjeti se imazhi mund të ishte i falsifikuar ose i manipuluar.
“Këtu, rrjeti i tyre neural shënon me të kuqe pikat që konsideron të rreme,” citohet Gerasimenko në artikull. “Domethënë, gati të gjithë objektet në foto i duken të pavërteta. Në të njejtën kohë, foto e makinës hënore kineze nuk ngjall ndonjë dyshim të veçantë.”
Artikulli i REN TV nuk specifikon as cilin program Gerasimenko përdori, apo se cila foto u analizua.
Ndërkohë, zyra e shtypit e Google tha për kolegët verifikues të fakteve të Politifact se Google AI nuk tregoi se pamjet nga zbritje në Hënë ishin të rreme. Për më tej, Google nuk ishte përfshirë në demonstrimet e treguara në konferencë.
Vlen të përmendet se, edhe nëse një program AI gjen mospërputhje në një imazh, këto mjete nuk janë gjithmonë të besueshme.
Duhet theksuar gjithashtu që NASA lëshoi kopje të restauruara të ecjes në hënë të ekuipazhit të “Apollo 11” rreth 15 vjet më parë.
Regjistrimet origjinale të NASA-s të uljes në hënë ishin aksidentalisht pjesë e një grupi prej rreth 200 mijë kasetash që u fshinë në mënyrë magnetike dhe u ripërdorën për të kursyer para në mesin e viteve 2000, raportoi Reuters në 2009. NASA përfundimisht gjeti kopje të mira në arkivat e lajmeve dhe disa regjistrime në arkivin e filmit në Qendrën Hapësinore Johnson në Hjuston, të cilat u digjitalizuan për të bërë pamjet me ngjyra dhe rezolucion të lartë që shihen sot.
Faktoje ka përgënjeshtruar edhe më parë pretendime lidhur me zbritjen në Hënë.