Një kullë 33-katëshe, me 4 kate parkim nëntokë do të ngrihet në krah të Teatrit të ri Kombëtar, pavarësisht shumë zotimeve të kryeministrit se nuk do të kishte kulla vërdallë. Godina është planifikuar të ndërtohet jashtë perimetrit të Teatrit, mirëpo artistët dhe aktivistë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit ndajnë shqetësimin se mund të preket edhe territori i Teatrit të ri Kombëtar.
Ilda Hoxha
Pas shembjes së Teatrit Kombëtar në maj të vitit 2020, kryeministri Edi Rama iu përgjigj shqetësimeve të artistëve dhe aktivistëve, duke hedhur poshte pretendimet se Teatri po “sakrifikohet” për ndërtimin e kullave.
“Nuk ka kulla aty, nuk ka mor vëlla, nuk do ndërtohen kulla aty. Si t’a shpjegoj…Nuk ka kulla aty, brenda, jashtë, mbrapa, në të gjithë perimetrin ku kanë bërë zvarritjen imagjinare të viktimës, nuk ka kulla”, deklaroi kryeministri Edi Rama në maj të vitit 2020.
Por, ja që kulla do të ketë.
Në maj 2023, në prag të zgjedhjeve lokale, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar një vendim që i jep kompanisë “Fusha” tokë publike në zemër të kryeqytetit, për të ndërtuar një kullë të lartë dhe në këmbim Bashkia do të përfitojë 50 për qind të sipërfaqes ndërtimore.
Sipas vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, kulla do të ndërtohet tek parkimi publik mes “Torre Drin” dhe ndërtesës së “Infosoft” – pranë pedonales së Tiranës.
Një vendim i Këshillit të lartë të Territorit të datës 26 dhjetor 2023, por i nënshkruar më 10 qershor 2024, përcakton ndërtimin e një godine polifunksionale 33 kate mbitokë dhe 4 kate parkim nëntokë, ku sipërfaqja e pronës është 2480.77 m2. Vendimi për ndërtimin e kësaj godine është firmosur nga kryetari i KKT-së, zoti Edi Rama. Por, dokumentat tregojnë se godina do të jetë jashtë territorit të Teatrit Kombëtar.
“Zonat në të cilat propozohet struktura është një zonë me destinacion rezidencial, tregtar dhe social, ku dominojnë polifunksionale dhe ato rezidenciale me shërbime. Pozicionohet pranë qendrës, në krah të pedonales ‘Murat Toptani’. Sipërfaqja e pronës është 2480.77 m2. Ndërkohë parcela kufizohet: në jug-pedonalja ‘Murat Toptani’; në veri-Sarajet e Toptanëve; në lindje-objekt shërbimesh; në perëndim-Teatri i Tiranës”, shkruhet në dokument.
Aktivistë të Aleancës së Mbrojtjes së Teatrit, kanë shprehur dyshimet e tyre nëse kulla që është planifikuar për ndërtim do të jetë apo jo brenda territorit të teatrit. I pyetur nga Faktoje, Neritan Liçaj, aktor dhe aktivist i Aleancës, u shpreh se frikërat e tyre tyre për ndërtimin e kullave tashmë u vërtetuan.
“Kulla i bie që të jetë jashtë territorit të Teatrit, megjithatë këtyre prapë nuk mund t’u besosh asgjë. Gjithsesi, nëse kulla nuk do të jetë brenda territorit të Teatrit, e para njëherë do bëhej kullë, u vërtetuan fjalët tona. Ka ndryshuar vendimi, nga ato 6 kullat që do ishin mbrapa, është bërë një tani, pikërisht nga presioni që ka bërë Aleanca për Teatrin dhe si duket i druhen edhe padive e kallëzimeve që kemi bërë në SPAK”, tha Liçaj.
Ai thekson se nëse godina 33-katëshe nuk ngrihet në territorin e Teatrit, është një fitore përgjysmë e Aleancës dhe qytetarëve.
“Tokën publike dhe nuk mund t’ia japësh privatit si të dojë qejfi ty”, shtoi ai.
Aktori shprehu shqetësimin se mund të preket territori i Teatrit Kombëtar.
“Unë kam frikë që ata do hyjnë prapë në territorin e Teatrit, sepse ata ashtu deklarojnë dhe tjetër gjë bëjnë. Mbetet për t’u parë”, theksoi Neritan Liçaj.
Verifikimi në terren
Gjatë një verifikimi që Faktoje bëri në terren më 20 gusht vumë re se punimet vijojnë në zonën ku po ndërtohet Teatri i ri Kombëtar. Perimetri i saj është i rrethuar dhe në tabela shkruhet ‘kantier punimi’. Mirëpo, nuk kishte një tabelë që të tregonte detaje në lidhje me ndërtimin e kullës 33 katëshe.
Vendi ku po ngrihet Teatri Kombëtar, 20 gusht 2024
Në një artikull të publikuar në maj të këtij viti, Faktoje raportoi se në rastin më të mirë Teatri i ri Kombëtar përfundon në vitin 2026. Aktorë të skenës së teatrit bëjnë përgjegjëse institucionet shtetërore, por edhe mungesën e reagimit të shoqërisë që ende sot në vend të teatrit kombëtar kemi grumbuj dheu.
Përfundimi
Edhe pse në vitin 2020 pas shembjes së godinës së Teatrit të ri Kombëtar, kryeministri zotohej se nuk do të kishte kulla që do të ndërtoheshin, dy vite më vonë me firmë të kryeministrit mori dritën jeshile një kullë 33-katëshe në krah të Teatrit Kombëtar. Nisur nga fakti që kulla nuk figuron në dokumente brenda territorit të teatrit, deklaratën e Ramës po e klasifikojmë si gjysmë të vërtetë.