ALDO MUSTAFA
Mbyllja e menjëhershme dhe pa një plan të mirëmenduar në muajt e parë të pandemisë goditi familjet e varfëra që u vunë në provë mbijetese, ku bëjnë pjesë edhe komuniteti rom-egjiptian. Thuajse gjysma e familjeve rome-egjiptiane në Durrës nuk morën ndihma nga bashkia. Kur vjen fjala te shëndetësia, mjekët në Durrës i cilësojnë romët si komunitetin më pak të prekur nga Covid-19, por pranojnë se askush nga ky komunitet nuk ka bërë tamponin dhe as ka telefonuar në numrin e urgjencës 127.
Komuniteti rom në qytetin e Durrësit, i përfshirë masivisht në punësimin “në të zezë”, rezulton ndër më të prekurit nga pasojat e mbylljes së menjëhershme për shkak të pandemisë. Shumë familje që i përkasin këtij komuniteti u gjendën të papërgatitura dhe pa rezerva nga izolimi.
Më 21 mars 2020 kryeministri Rama në një ndër fjalimet live, në profilin tij të Facebook, u zotua për zgjidhjen e situatës sidomos për familjet në nevojë
“Sot askush nuk kërcënohet nga vdekja për shkak të urisë. Fukarenjtë janë njerëzit më të mirëkuptueshëm të këtij vendi, sepse njoh më shumë se ju, të cilët po i ndihmojmë dhe do t’i ndihmojmë deri në fund. Prandaj të mos bëhen hiç merak këta fukarenjtë nga mendja e kokës që shkruajnë komente për popullin që po vdes se nuk ka bukë për të ngrënë.”- u zotua kryeministri.
Gëzim Hasani, banor i komunitetit rom në zonën e Nishtullës, është baba i 11 fëmijëve ku më i vogli prej tyre është 4 vjeç. Ai tregon se përgjatë gjithë periudhës së pandemisë ka përfituar vetëm 4800 lekë. Qëkur nisi karantina, Gëzimi kishte më pak punë, pasi izolimi e ndaloi të dilte për të mbledhur hekurishte, një mënyrë mbijetese për familjen.
Gëzim Hasani
“Përveç një qendre vullnetare që na ka ndihmuar me një qese ushqim, nga bashkia nuk kemi përfituar asnjë gjë!”- tha ai për “Faktoje”.
Ne verifikuam për “Faktoje” të dhënat zyrtare nga institucionet vendore në Durrës, mbi numrin e familjeve që janë ndihmuar gjatë periudhës mars-qershor. Në materialet e referuara nga Prefektura Durrës, në nivel qarku ndihmat e dhëna nga qeveria për bashkitë, gjatë atij 4-mujori, janë:
- Në muajin mars në nivel qarku janë shpërndarë në total 3700 pako me ndihma
- Në muajin prill në nivel qarku janë shpërndarë në total 5200 pako ndihma
- Në muajin maj janë shpërndarë në total 200 pako ndihma në nivel qarku
- Në muajin qershor në nivel qarku janë shpërndarë në total 170 pako me ndihma
Bashkia Durrës duke shpërndarë ndihma
Të gjitha pakot familjare janë ndihma nga rezervat e shtetit, siç konfirmon Prefektura Durrës.
Të dhënat referuar Bashkisë Durrës, në zbatim të Vendimit nr.243, datë 24.03.2020 “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, tregojnë se 3921familjeve iu shpërndanë gjithsej 4920 pako, përgjatë periudhës 11 mars-23 qershor.
Bashkia Durrës, nga buxheti i saj ka alokuar për paketat ushqimore, fondin me vlerë:8.607.162 lekë.
Përgjigjja e Bashkisë Durrës ndaj kërkesës për informacion
Të gjitha familjet kanë përfituar nga një herë pako me ndihma ushqimore: oriz, miell makarona, vaj, sheqer, lëngje frutash, produkte mishi etj. Pakot jo ushqimore kanë pasur në përbërje të tyre detergjentë dhe produkte të cilat janë në funksion të mbajtjes së higjienës.
Komuniteti rom është i përqëndruar më së shumti në zonën e Nishtullës, ku banojnë rreth 127 familje rome. Një pjesë e rëndësishme e vendbanimeve rome është e përqëndruar në zonën Kulla, Xhafzotaj, Rrashbull dhe Fllakë. Ndërkohë, rreth 320 familje egjiptiane janë të përqëndruara kryesisht në njësitë administrative 2 dhe 4, zonë e njohur ndryshe si Çezma e Ferrës, ish-Fidanishtja, Spitalla dhe në njësinë administrative Nr.3, në zonën e Kënetës, Kullës dhe Nishtullës.
Këto të dhëna sugjerojnë në një numër total prej 447 familjesh të cilat i përkasin këtyre dy komuniteteve. Por bazuar mbi të dhënat nga institucionet përkatëse, rezulton të jenë ndihmuar rreth 250 familje gjithsej, çka dëshmon se thuajse gjysma e këtij komuniteti ka mbetur pa ndihmat jetike, ushqime dhe mjete higjienike.
Rogert Elmazi
Rogert dhe Sidorela Elmazi, banorë të komunitetit rom në zonën e Nishtullës, tregojnë se familja e tyre nuk ka përfituar asnjërën prej paketave të ndihmës, qofshin këto në ushqime apo dhe në të holla. Sidorela ka aplikuar disa herë në listat e bashkisë për të përfituar ndihma dhe mbështetje ekonomike, por nuk është përfshirë në asnjërën prej këtyre skemave. Çifti Elmazi tregon se janë përpjekur të sigurojnë ndihma nga familjarët dhe në disa raste kanë qenë organizatat dhe individët vullnetarë të cilët kanë kontribuar me ushqime gjatë kësaj periudhe.
Sidorela Elmazi
Sakaq Bashkia Durrës në një njoftim zyrtar ka deklaruar se ndaj individëve dhe grupeve në nevojë, gjatë muajve të parë të pandemisë ka pasur një angazhim dhe vëmendje të shtuar, sidomos ndaj komuniteteve rome dhe egjiptiane.
“Në zonën e Nishtullës dhe Kullës janë shpërndarë paketa ushqimore dhe higjienike për të gjithë komunitetin duke përfituar çdo familje, pa përjashtuar asnjë. Sigurimi i paketave ushqimore dhe higjienike është bërë i mundur nga bashkëpunimi i Bashkisë Durrës me donatorët e ndryshëm si PNUD, Fondacioni World Vision, Fondacioni Terre des Hommes si dhe Fondacioni Nehemia. Paketat e ndihmave janë shpërndarë që nga fillimi i pandemisë e në vijim. Dezinfektimi i zonave ku banojnë këto komunitete është kryer në mënyrë të vazhdueshme.”-thuhet në konfirmin zyrtar të kësaj bashkie.
Pas kërkesës zyrtare që dërguam, Bashkia Durrës konfirmon se në mbledhjen e këshillit bashkiak të muajit prill 2020 është miratuar një fond i akorduar nga UNICEF për mbështetjen e familjeve në nevojë, ku përfitues të këtij fondi kanë qenë kryesisht familjet nga komunitetet rome dhe egjiptiane, familje që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara, persona të moshës së tretë që kanë probleme të rënda shëndetësore etj.
“Përfitimi i shumës nga cdo familje ka qenë në vlerën 4000-4800 lekë bazuar në strukturën e përbërjes familjare, për të mundësuar blerjen e një pakete ushqimore, sipas nevojave që e vlerësojnë vetë familjet. Nga komuniteti rom i zonës së Nishtullës kanë përfituar 156 familje. Gjatë muajit tetor kanë përfituar një çek në vlerën 10.000 lekë 94 familje të komuniteteve rome dhe egjiptiane nga zona e Nishtullës nëpërmjet bashkëpunimit me Oragnizatën Save the Children” – thotë bashkia.
Pjesë nga përgjigja e Bashkisë Durrës
Ne u interesuam për “Faktoje”, nëse ka të dhëna për numrin e të prekurve me Covid në komunitetin rom-egjiptian, nisur edhe nga fakti se jetojnë në kushte të papërshtatme, për shkak të varfërisë.
Ndihmës/epidemiologu i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Durrës, Zija Alhysa, tregon se gjatë periudhës së pandemisë duket se komuniteti më pak i prekur nga Covid-19 është komuniteti rom:
“Unë nuk kam shkuar thuajse në asnjë familje të këtij komuniteti për të marrë tampon, pasi nuk ka pasur asnjë njoftim as nga 127 dhe as nga mjekët e familjes.”
Ndihmës/epidemiologu Zija Alhysa
Ne pyetëm për “Faktoje” kryefamiljarin Gëzim Hasani, i cili pas periudhës së karantinës iu rikthye punës për mbledhjen e materialeve për skrap, bashkë me disa prej fëmijëve të tij, që nuk e ndjekin rregullisht shkollën, jo vetëm nga gjendja ekonomike, por edhe nga mungesa e ndërgjegjësimit. Gëzimi tregon se ai apo familjarët e tij, nuk kanë pasur shqetësime të mëdha shëndetësore, por as kanë kontaktuar ndonjëherë me qendrat shëndetësore të lagjes nr. 14 për t’u informuar mbi rrezikun apo simptomat e pandemisë.
Nga vëzhgimet e kryera në terren dhe nga informacioni i siguruar nga mjekët e qendrave shëndetësore, nuk është identifikuar ndonjë person i kësaj kategorie që të ketë ndjekur kura për Covid-19, duke bërë të vështirë menaxhimin e këtij komuniteti për shkak të lëvizjes së vazhdueshme që kanë edhe në qytete të tjera të vendit.