Asnjë incident nuk është regjistruar në gjyqin ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Bejlerit ,siç thuhet në artikuj të shpërndarë në portale. Verifikimi i Faktoje tregon se mediat online kanë abuzuar me titullin, me qëllim tëheqjen e klikimeve.
Në një artikulli të datës 18 shtator, portali “Lajme Shqip” pretendon se ka pasur një incident në gjyqin ndaj Fredi Bejlerit, i arrestuar me akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje.
“Incident në gjyqin e Belerit, gjykata s’e ‘ha’ presionin”- titullohet lajmi i portalit i publikuar në 18 shtator dhe ndarë më tej nga disa profile në rrjete sociale duke tërhequr qindra komente dhe reagime.
Artikulli i shpërndarë nga portali
Nëse do shohim në brendësi të artikullit, më tej thuhet se: “Gjykata e Posaçme e Apelit nuk ndryshoi vendimin. Fredi Beleri është lënë në burg pa afat ditën e sotme. Një tjetër kërkesë, kjo që është rrëzuar mes shumë të tillave që janë bërë në muajt e fundit që pas 12 majit kur u arrestua”.
Në seancën e mbajtur më 18 shtator, Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në qeli Fredi Belerin, i akuzuar për shitblerje votash. Në gjyqin ndaj tij ishte e pranishme ambasadorja greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi dhe kreu i PBDNJ, Vangjel Dule.
Artikulli flet më tej për një një qytetar që i është drejtuar ambasadores greke në momentin që ajo po largohej nga gjykata, duke e akuzuar se po mbron një kriminel. Kjo situatë ka ndodhur jashtë ambjenteve të gjykatës, pas përfundimit të gjyqit.
Në këtë rast, portali ka përdorur një titull “sensacional” me qëllim tërheqjen e klikimeve, pasi asnjë incident nuk është shënuar në gjyqin e Bejlerit që të ketë “trembur” gjykatën.
Kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë”, Fredi Beleri, përfaqësues i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, një nga forcat që përfaqëson minoritetin grek, u arrestua më 12 maj, nën akuzën e blerjes së votës.